Ku do të shkojnë 94 mln Euro? – 313 mijë fermerë të paformalizuar, përfitojnë “të fuqishmit”
Ndërsa 94 milion Euro janë vënë në funksion të zhvillimit të bujqësisë, agropërpunimit dhe zhvillimit rural përmes IPARD II, duket se përthithja e tyre do të jetë e vështirë për shkak të gjendjes ku ndodhen agrobizneset dhe fermerët shqiptarë. Kështu një ndër kriteret e për të përfituar grante, është pajisja me NIPT dhe në këtë pikë, nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, vetëm 40.779 mijë prej tyre janë të pajisur me një NIPT dhe që kanë një mundësi për tu bërë pjesë e aplikimeve.
Ndërsa më shumë se 313 mijë prej tyre vijojnë të mbeten indiferentë ndaj financimeve. Megjithatë duhet theksuar se për të përthithur këto fonde, vështirësia është e lartë për shkak se fermerët duhet të kenë në pronësi madhësi të konsiderueshme tokë, gjë që fragmentarizmi në të cilin ndodhet aktualisht është një minus shumë i madh si dhe të kenë mundësi financiare që të investojnë fillimisht dhe më pas të marrin mbrapsht deri në 70 për qind të vlerës së financimit.
Ashtu sikurse në programin IPARD I edhe këtë herë, duket se fondet do të shkojnë për “më të fuqishmit” e sektorit, për ata të cilët e kanë mësuar rrugën, që kanë bërë investime kolosale, kanë krijuar besueshmëri në realizimin e planeve të biznesit dhe që duan të zgjerojnë investimet e tyre. Kështu, pavarësisht se Ministria e Bujqësisë ka sërish në dorë një instrument të fuqishëm financimi prej 94 milion eurosh, një fond i përbashkët midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, sërish do të lërë të pambuluar pjesën e “padukshme” të bujqësisë shqiptare, të cilët punojnë më së shumti në këtë sektor për arsye mbijetese dhe nuk tentojnë ta kthejnë atë në një mekanizëm zhvillimi dhe për rritje të të ardhurave.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.