Ku po shkon ekonomia shqiptare? – Pronat dhe infrastruktura probleme serioze, Italia do na “infektojë”
Instituti britanik për kërkime ekonomike dhe biznesin, që është më i madhi në Britani dhe ndër më prestigjiozët në nivel global, në raportin që mban titullin “Liga ekonomike botërore 2019” veçse jep projeksione deri në vitin 2033 për ekonominë shqiptare, analizon edhe situatën e ekonomisë të vendit aktualisht, si dhe evidenton problemet kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, që pengojnë edhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Një ndër rreziqet kryesore që evidenton raporti, është ai i të drejtave të dobëta të pronës, si dhe sistemi gjyqësor i dobët dhe i korruptuar por edhe infrastruktura e varfër e vendit, informaliteti i lartë si dhe edukimi.
Nga aspekti fiskal, vendi vlerësohet të ketë bërë progres të lehtë, sidomos në adresimin e borxhit publik. Raporti këshillon një konsolidimin më të mirë fiskal duke pasur parasysh problemet demografike me të cilat do të përballet vendi.
“Ne presim që rritja ekonomike të bjerë në dy vitet e ardhshme, pasi vendi ka lidhje të ngushta ekonomike me Italinë, vend që po përballet me kohë të vështira. Në vitin 2019 Shqipëria projektohet të ngjitet në vendin e 123-të sa i përket ekonomive më të mëdha të botës, nga vendi i 125-të i vitit të kaluar. Në 2033, projektohet të jetë në vendin e 120-të, ndër 192 ekonomi të botës”.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.