Ku shkuan paratë për rrugët në 2020-ën? – Nga buxheti u shpenzuan 10.38 miliard lekë, u ndërtua 16.56 km rrugë

Teksa pagesat buxhetore për kontratat koncesionare për ndërtimin e rrugëve, arritën në 3.46 mld lekë, gjatë vitit 2020 u shpenzua edhe 10.68 mld lekë për ndërtimin e 16.56 km rrugë me fonde të buxhetit të shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë, shpenzimet më të mëdha u realizuan për ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë, ku në 2020-ën u realizuan 5.8 km dhe u shpenzuan 3.22 mld lekë.
Më pas vijnë shpenzimet për ndërtimin e rrugëve të kategorisë A2 me trotuare dhe ndriçim, ku përfshihen 5.99 km, me një vlerë prej 2.89 mld lekë. Këtu bën pjesë përfundim i punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore nyja e Milotit; Ndërtim i unazës së Jashtme Tiranë pjesa verilindore (segmenti kthesa e Saukut-Bregu i lumit, Rikualifikim i akseve rrugore Unaza Lindore dhe ndërtimi i bypassit të Shkodrës.
Ndërkaq, sa i takon kategorisë C1 të rrugëve, ku përfshihen rrugë me 2 korsi dhe gjerësi 7.5-10 m, buxheti i shtetit financoi në total 2.47 mld lekë, për disa projekte, sikurse janë: By Pass Tepelenë apo rruga Korçë –Ersekë. Ndërkaq, për sinjalistikën rrugore, ku përfshihet dhe eleminimi i pikave të zeza, u shpenzuan në total 589,246,000 lekë apo 100% e buxhetit të parashikuar.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.