Kuba ngelet pa naftë – Pezullohen trenat dhe autobusët, Havana akuzon SHBA
Kriza ekonomike në Kubë po thellohet çdo ditë e më shumë, duke prekur njerëzit e thjeshtë në vend. Radhët e gjata nëpër stacione karburanti, apo autobusë tashmë është një panoramë mëse normale nëpër rrugën e kryeqytetit, Havana. Për mungesën e karburantit, qeveria kubane fajëson sanksionet amerikane.
Presidenti i vendit më herët gjatë javës paralajmëroi kubanët se kohë të vështira priten në një kohë që, sipas tij, shtetet e bashkuara po përpiqen që të bllokojnë anijet me naftë që vijnë për në ishull. Nga ana tjetër, qeveria ka marrë masa për të mundësuar shërbimet bazë. Disa investime janë shtyrë për një kohë të dytë ndërkohë që shërbimi i trenave dhe autobusëve do të pezullohet për momentin.
Sipas presidenti të vendit të vogël komunist, kriza duhet të kalojë shumë shpejt, pasi për tetorin janë siguruar ngarkesat e nevojshme me karburant. Pavarësisht se qeveria mundohet të japë në publik imazhin se kjo nuk është një krizë ekonomike, por thjesht një mungesë e momentit, për ekspertët këto janë shenjat e para të një përkeqësimi të situatës ekonomike në vend.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.