Kufijtë Schengen, KE: Pas 6 muajsh të rikthehet liria e lëvizjes pa kontrolle kufitare
Gjermania, Austria, Danimarka, Suedia dhe Norvegjia do të duhet të heqin brenda gjashtë muajve të ardhshëm kontrollet e përkohshme në disa nga pikat e tyre kufitare brenda zonës Schengen.
Komisioni Europian ka vendosur se pas kësaj periudhe, kontrollet e vendosura duhet të zëvendësohen me masa alternative që ofrojnë të njëjtin nivel sigurie, si kontrolle policore të zona kufitare apo në autostradat kryesore.
Konkretisht KE propozon heqjen e kontrolleve në këto pika:
- Në Austri në kufirin tokësor austro-hungarez dhe austro-sloven
- Në Gjermani në kufirin tokësore gjermano-austriak
- Në Danimarkë në portet daneze për anijet që vijnë nga Gjermania dhe në kufirin tokësor danez-gjerman
- Në Suedi në portet suedeze në Jug dhe Perëndim si dhe në urën e Öresund.
- Në Norvergji në portet norvegjeze për tragetet nga Danimarka, Gjermania dhe Suedia.
“Falë përpjekjeve tona të përbashkëta, kufijtë tanë të jashtë janë tani më të fortë e më të sigurt. Duke punuar bashkë është e mundur të kemi edhe siguri edhe liri në lëvizje. Kjo do të thotë se brenda gjashtë muajsh do të duhet të rikthehet një zonë Schengen pa kontrolle në kufijtë e brendshëm”, tha zv/Presidenti Frans Timmermans.
Komisioni vlerëson se kontrollet policore janë më efikase se kontrollet në kufij dhe se ato mund të zbatohen në mënyrë më fleksibël dhe janë të lehta për t’u përshtatur sipas rreziqeve.
Shtetet anëtare duhet të forcojnë gjithashtu bashkëpunimin ndërkufitar, si p.sh. duke krijuar patrulla policore të përbashkëta për trenat që kalojnë kufijtë , të analizojnë rreziqet së bashku edhe të rrisin shkëmbimin e informacioneve.
Komisioni rekomandon këto masa për Këshillin Europian, i cili merr vendimin për zgjatjen e këtyre kontrolleve. Teknikisht sipas ligjeve të BE, kjo është zgjatja e fundit e mundshme e kontrolleve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.