Kufiri me korsi preferenciale – Tregti pa vonesa me vendet e rajonit 24/7, vetëm për ushqime dhe medikamente
Prej kësaj të hëne, ne kufijtë e Shqipërisë me vendet e rajonit, përveç Greqisë, ka hyrë në fuqi marrëveshja më e re mes vendeve të Cefta-s, sipas modelit të Bashkimit Europian, me korsinë preferenciale të hapur 24 orë në ditë, për hyrjen dhe daljen e atyre që konsiderohen produkte thelbësore, e që në masë përfshin produkte ushqimore ose farmaceutike, lista e të cilave është publike.
Vendet e Cefta-s, veç Shqipërisë, janë edhe: Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova si dhe Moldavia. Koncepti i korsive jeshile preferenciale është dakordësuar mes vendeve anëtare që në muajin Mars, ndërkohë që ka hyrë në fuqi vetëm më 13 prill. Ky vendim do t`i mundësojë vendeve anëtare që të transportojnë mallra të konsideruara thelbësore Brenda kufirit të tyre, pa vonesa, për të përballuar emergjencën covid-19.
Për këtë arsye është rifreskuar edhe sistemi elektronik i shkëmbimit të të dhënave, në mënyrë që administrate doganore dhe kufitare t`i përpunojë të dhënat e dërgesave para mbërritjes së kamionëve, e të mos ketë humbje kohe në kufi. Lista e produkteve thelbësore mund të modifikohet në mënyrë periodike nga sekretariati.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.