Kujdes me paratë publike! – Soreca: Monitorim më të mirë për tenderat
Bashkimi Europian kërkon menaxhim më të mirë të financave publike nga të gjithë aktorët, si nga ministritë, bashkitë, institucione të pavarura si Agjencia dhe Prokurimit Publik e Kontrolli i Lartë i Shtetit, e deri tek shoqatat, si kusht për anëtarësim. Ambasadori Luigi Soreca vë theksin tek monitorimi i mënyrës se si shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Paratë publike janë të taksapaguesve shqiptarë dhe çdo taksapagues ka të drejtë të kërkojë që paratë e tyre të shpenzohen siç duhet. Duhet planifikim sektorial në buxhet, sepse nëse nuk ka fonde, objektivat nuk arrihen. P.sh, në ndërtimin e një rruge, cilësia dhe kosto kanë rëndësi dhe duhen zgjedhur tenderuesit më të mirë. Monitorimi është guri më i rëndësishëm, nëse kjo nuk bëhet, rruga nuk ndërtohet në kohën e duhur, e cilësinë e duhur dhe me koston më të ulët.”
Reforma e Menaxhimit të Financave publike ka hyrë në fazën e dytë të saj, dhe sipas ministres së Financave, Anila Denaj, ka në thelb transparencën dhe llogaridhënien.
Kjo reformë është zbatuar për 4 vite dhe do të vijojë deri në vitin 2022 dhe ndër të tjera ka në thelb përmirësimin e shërbimeve në administratën publike dhe shpenzimet e kontrolluara.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.