Kujdesi shëndetësor online, Shqipëria në fund të Europës. Eurostat publikon sondazhin
Nga “Scan Intelligence Unit”
Eurostat ka publikuar së fundmi të dhënat për “Aktivitete në Internet” në lidhje me kujdesin shëndetësor. Këto të dhëna janë publikuar në formën e një ankete, ku bënë pjesë dhe Shqipëria. Kjo anketë përmban të dhëna për Shqipërinë për vitin 2018 sa i përket “Caktimeve të takimeve përmes një faqe interneti” dhe të dhëna për vitin 2019 përsa i përket “Kerkimit të informacionit shëndetësor”. Të dhënat për vitin 2020 për Shqipërinë nuk janë përditësuar ende.
Po të analizojmë të dhënat për “Përdorimin e internetit për të caktuar takim me një praktikues përmes një faqe në internet” për vitin 2018 vërejmë se vetëm 2% e individëve e kanë përdorur për këtë qëllim. Nëse do ta krahasonim me vendet e rajonit, shohim se Shqipëria renditet e parafundit, për të mos thëne e fundit me vetëm 2%. Serbia është ajo që kryeson listën, me 6%. Pas Serbisë vijon Mali i Zi me 4% dhe Kosova po me 4%.
Për vitin 2019, vetëm 33% e shqiptarëve kanë bërë një kërkim në rrjet në lidhje me informacion shëndetësor. Edhe në këtë rast Shqipëria renditet e parafundit duke lenë pas Bosnje Hercegovinën me 25%. Parë në planin rajonal përsëri në vend të parë renditet Serbia me mbi 50% e individëve. Pas Serbisë renditet Kosova dhe Maqedonia e Veriut, respektivisht 49% për Kosovën dhe 45% për Maqedoninë e Veriut. Të njëjtën përqindje gëzon edhe Mali i Zi.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.