Kujt dhe si do t’i sekuestrohet pasuria? Gjithçka duhet të dini për Operacionin “Forca e Ligjit”
Qeveria ka miratuar një akt normativ që synon të luftojë krimin e organizuar, duke goditur pasurinë e tij sipas parimit “Ndiq paranë”. Operacioni është emërtuar “Forca e Ligjit” dhe për të është ngritur edhe një strukturë e posaçme.
Struktura e posaçme e Policisë së Shtetit parashikon kontrollin e pasurive të personave që janë dënuar për vepra të rënda penale në vitet e shkuara. Operacioni parashikon sekuestrimin e pasurive në rastet e dyshimeve, madje duke përfshirë edhe familjarët dhe bashkëpunëtorët që dyshohet se kanë përfituar nga pasuria e paligjshme që mund të ketë venë subjekti.
Fillimisht të gjithëve u jepet mundësia që të bëjnë deklarimin lidhur me pasurinë që kanë. Në rast se nuk e faktojnë burimin e pasurisë së tyre, atëhere nis një proces institucional që në fund finalizohet ose me lejimin e shfrytëzimit të pasurisë ose me konfiskimin dhe kalimin e saj në favor të shtetit.
Tashmë janë realizuar lëvizjet e para. Pas konfiskimin të një resorti në Shijak, edhe dy persona të tjerë janë bërë subjekt i ligjit dhe kanë 48 orë kohë që të shpjegojnë burimin e pasurisë së tyre.
Mëposhtë SCAN sjell në mënyrë të thjeshtuar detajet e aktit normativ:
Sa do të zgjasë operacioni dhe afati i ligjit special?
Ky akt normativ ka efekt të përkohshëm dhe do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2020.
Çfarë është OFL
“Operacioni Forca e Ligjit (OFL)” është strukturë e veçantë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. (OFL), në varësi të drejpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e drejtuar nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale.
OFL-ja ka në përbërje të saj punonjës të Policisë së Shtetit dhe ekpertë të fushave të ndryshme.
Përveç aksesit në database-in e Policisë së Shtetit, OFL-ja ka akses në informacionin apo bazën e të dhënave të institucioneve publike, përfshirë Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS).
Kush është subjekt i ligjit special
Subjekt i këtij ligji janë personat e dënuar me vendim penal të formës së prerë brenda dhe jashtë Shqipëri, personat nën hetim, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe personat fizikë dhe juridikë, shtetas shqiptarë apo të huaj, si dhe persona pa shtetësi, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes apo për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara në elemente të faktit për përfshirje në çdo formë të terrorizmit dhe të financimit të tij, të kryera brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimit të legjislacionit në fuqi, për masat kundër financimit të terrorizmit.
Pjesë e ligjit bëhen edhe familjarët dhe bashkëpunëtorët.
Si nis procesi
Personat e dënuar apo që janë në hetim për vepra të rënda penale duhet të plotësojnë një formular për pasurinë e tyre ku duhet të faktojnë burimin e tyre. Ata kanë 48 orë kohë për të plotësuar formularin.
Masat parandaluese me karakter pasuror
Masat parandaluese me karakter pasuror mund të iniciohen, të propozohen dhe të merren nga Policia e Shtetit, prokurori apo gjykata sipas parashikimeve të këtij akti normativ.
Pjesë e masave parandaluese janë dhe familjarët e personave. Veç personave ndaj të cilët ndërmerret masa,ligji përfshin edhe personat e tjerë të afërm si bashkëshortët, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëjetuesit për periudhën e 5 viteve të fundit), për të cilët prezumohet regjistrimi i rremë, përveçse kur provohet e kundërta. Po ashtu, përfshihen edhe personat fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të tërthortë nga personat e dënuar më vendim të formës së prerë për vepra të rënda penale apo që janë në hetim për vepra të rënda penale.
Sekuestrimi i pasurisë me vendim të gjykatës
Për personat që preken nga ky ligj, në rast se nga verifikimet paraprake të cilat çojnë në dyshimin e arsyeshëm bazuar në elemente të faktit rezulton se posedojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, pasuri, të drejta ose veprimtari ekonomike, tërësisht ose pjesërisht të pajustifikuara në raport me nivelin e të ardhurave ose fitimeve që rrjedhin nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, OFL-ja kërkon paraqitjen nga ana e subjekteve, brenda 48 orëve të deklarimit në formën e një vetëdeklarimi në lidhje me:
-burimet e ligjshme të sigurimit të pasurive;
– shkakun e posedimit dhe përcaktimin e masës të së drejtës apo interesit të ligjshëm që gëzon mbi pasuritë, objekt shqyrtimi;
-sqarimin e mënyrës së fitimit të pasurisë (në veçanti burimin e të ardhurave në rast shitblerjeje);
– përcaktimin nëse pasuria ka bashkëpronarë ose është në përdorim të të tretëve apo këta përfitojnë prej saj në një mënyrë tjetër;
-të ardhurat e ligjshme vjetore;
-çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.
Sekuestrimi i pasurisë nga Policia e Shtetit në rastet e emergjencës
Në rastet e nevojës dhe të urgjencës kur ka informacione apo dyshime të arsyeshme, të bazuara në elemente të faktit se pasuritë e subjekteve që përfshihen në këtë ligj, pavarësisht nëse zotërohen apo janë në përdorim apo posedim në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej tyre, janë siguruar në mënyrë të pajustifikuar në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtari të ligjshme, të deklaruara sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, si dhe kur pasuria ka rrezik të tjetërsohet, të asgjësohet, të dëmtohet, të transferohet, të transportohet apo në çdo rast tjetër që dyshohet se mund të rrezikohet zbatimi i një mase të mundshme sekuestroje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron vendosjen e masës së sekuestros.
Masa e sekuestros i njoftohet menjëherë subjektit, i cili, brenda 24 orëve nga marrja e njoftimit, jep vetëdeklarim në lidhje me të gjitha apo ndonjë nga pikat më poshtë:
-burimet e ligjshme të sigurimit të pasurive;
-cilësimin e natyrës dhe përcaktimin e masës të së drejtës apo interesit të ligjshëm që gëzon mbi pasuritë, objekt shqyrtimi;
-mënyrën e fitimit të pasurisë (në veçanti burimin e të ardhurave në rast transferimi të pronësisë etj.);
-përcaktimin nëse pasuria ka bashkëpronarë ose është në përdorim të të tretëve apo këta përfitojnë prej saj në tjetër mënyrë;
-të ardhurat e ligjshme vjetore;
-çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit menjëherë, dhe në çdo rast brenda 72 orëve nga nxjerrja e urdhrit për masën e sekuestros, i referon çështjen prokurorit dhe i kërkon vleftësimin e masës së sekuestros. Brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, prokurori me vendim të motivuar vendos ose heqjen e sekuestros ose avancimin me të.
Masa e sekuestros është e vlefshme për një periudhë 4-mujore, duke filluar nga momenti i zbatimit të saj. Në rastin e verifikimeve komplekse, me kërkesë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, prokurorit, ose kryesisht, gjykata mund të vendosë zgjatjen e afatit të zbatimit të masës së sekuestros edhe për një periudhë tjetër, por jo më shumë se katër muaj.
Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga marrja dijeni apo njoftimi i vendimit. Gjykata shprehet me vendim për vleftësimin e masës së sekuestros brenda 15 ditëve nga paraqitja e ankimit.
Nëse gjykata nuk shprehet brenda këtij afati, masa e sekuestros mbetet në fuqi. Paraqitja e ankimit nuk pezullon zbatimin e masës së sekuestros.
Kush i administron pasuritë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi i ka bërë me dije subjektit të interesuar urdhrin e sekuestros, merr masa për vënien në ekzekutim të tij nëpërmjet dorëzimit të pasurisë, objekt i urdhrit të sekuestrimit, Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara sipas Të drejtat e personave të tretë
Personat e tretë, të cilët rezultojnë pronarë ose bashkëpronarë të aseteve ose pasurive të sekuestruara, brenda afatit 30-ditor të vleftësimit të masës së sekuestros, thirren nga gjykata të ndërhyjnë në proces për të shprehur qëndrimin dhe pretendimet e tyre në lidhje me masën e sekuestros.
Çfarë duhet të bëjnë personat e tretë (familjarët apo bashkëpunëtorët )
Personat e tretë duhet të provojnë se titulli i tyre i pronësisë nuk është i fituar apo i rrjedhur si rezultat i krimit të organizuar, veprimtarisë terroriste apo krimeve të rënda, të përcaktuara në këtë akt normativ.
Gjykata vendos heqjen e masës së sekuestros ose heqjen e sekuestros për pjesën takuese në rastet e bashkëpronësisë, të personave të tretë nëse këta të fundit arrijnë të provojnë para gjykatës ligjshmërinë.
Kur bëhet konfiskimi i pasurisë
Masa parandaluese pasurore e konfiskimit për pasuritë që administrohen, posedohen ose janë në pronësi të subjekteve vendoset me kërkesë të prokurorit, i cili i paraqet gjykatës në mënyrë të argumentuar arsyet ku bazohet kërkesa.
Gjykata vendos masën parandaluese pasurore të konfiskimit sipas parashikimit të kësaj pike, kur:
– mbi pasurinë është vendosur masa e sekuestros;
– ka dyshime të arsyeshme, bazuar në elemente të faktit, për pjesëmarrjen e personit në veprimtari kriminale
– nuk mund të provohet përpara gjykatës origjina e ligjshme e burimit të krijimit të pasurisë apo personi nuk justifikon zotërimin e pasurive ose të të ardhurave, që janë shpërpjesëtimore dhe nuk I përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre.
Gjykata duhet të shprehet me vendim për konfiskimin e pasurive të sekuestruara, brenda 6 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës për konfiskim.
Nëse gjykata nuk shprehet me vendim për konfiskimin e pasurive të sekuestruara brenda afatit të vlefshmërisë së sekuestros me kërkesë të prokurorit apo Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, gjykata vendos për shtyrjen e afatit të sekuestros deri në përfundimin e këtij gjykimi.
Kundër vendimit të gjykatës për konfiskimin e pasurisë mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente të apelit, sipas afateve dhe kushteve, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.
Kalimi i pasurive të konfiskuara në pronësi të shtetit
Pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, sipas këtij akti normativ, kalojnë në pronësi të shtetit. Vendimi i formës së prerë për konfiskimin e pasurive i dërgohet brenda 24 orëve Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Kur vendimi i konfiskimit merr formë të prerë, pasuria kalon në pronësi të shtetit në mënyrë të pakthyeshme. Kur vendimi i formës së prerë që ka vendosur konfiskimin prishet nga gjykata më e lartë ajo vendos vetëm për njohjen e vlerës së pasurisë së konfiskuar mbajtësit apo zotëruesit të së drejtës së pronësisë.
Masat parandaluese me karakter ekonomik
Subjektet e këtij akti normativ, për të cilët është dhënë apo kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosja e një mase parandaluese me karakter pasuror apo personal, përjashtohen nga:
-e drejta për të marrë apo mbajtur leje, licenca dhe autorizime që jepen nga Policia e Shtetit ose ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë;
-përfitimi i fondeve në të gjitha procedurat e prokurimit të punëve apo kontratave publike;
– koncesionet publike dhe partnertitete publikprivat, si dhe të drejtat e lidhura me to;
– përfitime apo kontribute, të llojit ndihmë shtetërore, hua, hipoteka të subvencionuara apo të mbështetura nga fonde publike.
Detyrimi i deklarimit të pasurisë
– Subjektet e këtij akti normativ, ndaj të cilëve është vendosur një masë parandaluese, sipas parashikimeve të këtij akti normativ, kanë detyrimin që:
-brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti kur masa parandaluese është bërë përfundimtare, të deklarojnë pranë strukturave të OFL-së pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme që disponojnë;
-të deklarojnë pranë strukturave të OFL-së të gjitha ndryshimet në pasurinë e tyre me një vlerë jo më pak se 5 000 000 lekë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga kryerja e ndryshimit;
-të deklarojnë pranë strukturave të OFL-së çdo transaksion financiar me vlerë mbi 1 000 000 lekë, brenda 30 ditëve nga kryerja e tij.
Deri më 31 mars të vitit 2021, subjektet që përfshin ky ligj duhet të bëjnë deklarimet pasurore mbi të ardhurat vjetore, shtesat, pakësimet dhe ndryshimet e pasurisë përgjatë vitit 2020.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.