“Kulla Ikonike” në Tiranë, kur pritet të nisin negociatat me kompaninë ndërtuese. Përbërja e Komisionit të Negociimit dhe raportet që hartohen

Pas 15 ditësh pritet të nisin procedurat për marrëveshjen ndërmjet shteti shqiptar dhe Kompanisë “Al Habtoor Investment lLC” për projektin dhe ndërtimin e Kullës Ikonike në Tiranë.
Ligji i botuar në “Fletoren Zyrtare”, i cili pritet të hyjë në fuqi pas 15 ditësh thekson se procedurat për marrëveshjen ndiqen nga Komisioni i Negocimit të Marrëveshjes, i cili kryesohet nga një përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ka në përbërje përfaqësues edhe nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Avokatura e Shtetit.
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit, thuhet në dokument, Komisioni i Negocimit të Marrëveshjes do të fillojë negociatat me kompaninë “Al Habtoor Investment LLC” për propozimin e paraqitur prej tyre.
“Komisioni i Negocimit të Marrëveshjes, në përfundim të procedurave të negocimit harton një raport, të cilin ua dërgon për shqyrtim Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrit të Financave. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministri i Financave, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së raportit, shprehen nëse janë dakord me propozimet e paraqitura. Nëse ata nuk janë dakord, ia kthejnë Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes, me vërejtjet përkatëse. Nëse ata janë dakord, vijojnë procedurat për propozimin e akteve të miratimit në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend.”, thuhet në ligj.
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.