Kundër buxhetit 2018 – LSI: Taksa për ushqimet bazike në 5%, nga 20% që është aktualisht

Pas miratimit të buxhetit dhe paketës fiskale 2018 nga mazhoranca me 75 vota pro, LSI shprehet se me atë buxhet familjet shqiptare jo vetëm u varfëruan më shumë por kanë humbur edhe shpresën për të ardhmen.
Në një takim me gazetarët kryetari i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili, u shpreh se taksat për ushqimet bazike duhet të ulen nga 20% në 5%. Sa i përket biznesit të vogël duhet që të aplikohet TVSH mbi të ardhurën e 5 milionë lekëve dhe jo të 2 mln lekë. Një tjetër kërkesë nga LSI është edhe zerimi i taksës së banesës.
Referuar sektorit shëndetësor Vasili u shpreh se nuk ka pasur investime në infrastrukturë dhe teknologji, ndërkohë që shteti paguan për koncesione. Sipas Vasilit 5% e GDP-së duhet që të shkojë për shëndetësinë.
Amendamentet e depozituara në Kuvendin e Shqipërisë nga LSI do të merren në shqyrtim më 30 nëntor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.