Kundër ligjit “Për strehimin social” – Shoqatat e biznesit: Sektori i ndërtimit po rëndohet me taksa
Komuniteti i biznesit ndihet i shqetësuar në lidhje me një ligj të miratuar kohë më parë për barrën e taksave me të cilën është rënduar sektori i ndërtimit. Në një deklaratë për mediat theksohet se, në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare parlamenti ka votuar ligjin për Strehimin Social, i cilin detyron që 3 përqind të sipërfaqes së ndërtimit t’i kalohet bashkive për familjet e pastreha. Komuniteti i biznesit e konsideron këtë ligj si një taksë të paarsyeshme dhe kërkon rishikiminn e saj.
Ky ligj do të rrisë kostot për metër katror të çdo objekti të ri, pasi ai do të rëndojë në çmimin final që paguhet nga konsumatori. Si hap të parë, komuniteti i biznesit kërkon që ky detyrim shtesë të evidentohet si një zë më vete në kontratën finale të shit-blerjes në mënyrë që të evidentohet që ky është një detyrim i politikës dhe jo një kosto e ndërtuesit. Nga ana tjetër, komuniteti i biznesit i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese, e cila është duke e shqyrtuar këtë çështje, të shfuqizojë nenin detyrues të kësaj takse.
Solidariteti për shtresat në nevojë dhe vulnerable duhet të mbështet nga të gjithë tatim paguesit e Shqipërisë dhe jo vetëm nga një segment i caktuar i ekonomisë, siç është sektori i ndërtimit, i cili sot është më i rënduari nga barra e taksave.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.