Kupën e ngre një gjermane – Katër finalistet e “UCL” dhe “EL” vishen me “Adidas”

Si në ligën e kampionëve, ku kupa do të vendoset mes Juventus dhe Real Madrid, ashtu edhe në finalen e Europa League, ku do të përballen Manchester United me Ajax, fituesi i të dy kompeticioneve më të rëndësishme europiane është i sigurtë, dhe ai është: Adidas.
Gjigandi i veshjeve dhe produkteve sportive është sponsor i të katër klubeve që do të luajnë dy finalet. Madje gjermanët veshin edhe klubet europiane që thuajse e kanë siguruar kampionatin në vendet e tyre, si në Spanjë, Itali, Angli apo Gjermani.
Në këtë prizëm, Adidas është fituese e padiskutueshme dhe ka mundur një rivale as më pak e as më shumë se Nike. Të dyja kompanitë prej vitesh janë në një garë mjaft të ashpër mes tyre duke arritur të shpenzojnë shifra marramendëse për të dalë fituese.
Si Adidas ashtu edhe Nike, kanë harxhuar miliarda dollarë gjatë këtij viti për marketing, por fati duket se i ka buzëqeshur gjermanëve. Nike nuk pati fat, pavarësisht se garonte me siglën e Barcelonës, Atletico Madrid, Manchester City, Monaco apo Psg. As Puma, me Dortmund, Arsenal apo Leicester nuk ka patur asnjë shans.
Adidas i ka lënë Nike vetëm një mundësi fitoreje, në rast se Real Madrid do të shpallet kampione e europës, duke qenë se Cristiano Ronaldo luan me Nike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.