‘Kur tregtia ndalet, ndonjëherë fillon lufta’ – Jack Ma
Shkëmbimet “me të njëjtën monedhë” midis dy ekonomive më të mëdha në botë, Kina dhe SHBA, mund të çojnë në një konflikt të mundshëm ushtarak, sipas themeluesit të Alibaba Jack Ma. Ai ka paralajmëruar se një luftë tregtare do të “dëmtonte të gjithë”.
Duke folur në Forumin Publik të Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë, Ma tha: “Kur tregtia ndalet, nganjëherë fillon lufta. Pra, tregtia është rruga për të ndaluar luftërat “.
Ai tha se “Tregtia është rruga për të ndërtuar besimin” dhe “jo arma për të luftuar kundër njëri-tjetrit”.
Biznesmeni shprehu besim se Pekini dhe Uashingtoni duhet “të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë sfidë, për të krijuar më shumë vende pune, për të luftuar varfërinë, për të përdorur teknologjinë për të zgjidhur sëmundjet dhe mbrojtur mjedisin, në vend të kësaj lloj lufte”.
“Do të shkatërrojë jo vetëm tregtinë e Kinës, por edhe shumë vende dhe biznese të vogla”, paralajmëroi Ma. Miliarderi përsëriti sugjerimin e tij të mëparshëm se qëndrimi mund të zgjasë 20 vjet.
Ma kishte pranuar më parë se zënkat e vazhdueshme me partnerin më të madh tregtar të Kinës po dëmtonin edhe biznesin e Alibaba. Muajin e kaluar, ai tha se premtimi i tij ndaj Presidentit të SHBA Donald Trump për të krijuar një milion vende pune në SHBA nuk është më e vlefshme dhe e zbatueshme pasi Uashingtoni goditi Pekinin me raundin e ri të tarifave prej 200 miliardë dollarë mallra.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.