Kursi i këmbimit – Afrimi i zgjedhjeve nuk e dobëson lekun

Monedha europiane po qëndron në nivelet më të ulëta të shtatë viteve të fundit. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën euro këmbehej me 134.1 lekë.
Ekspertët e shpjegojnë dobësimin e euros me ofertën e lartë të monedhës europiane në treg, ku faktori kryesor vlerësohen të jenë investimet e huaja direkte.
Në fakt, afrimi i zgjedhjeve dhe fillimi i fushatës elektorale në teori mund të jetë një faktor me ndikim në kursin e këmbimit. Siç dihet, periudhat parazgjedhore shoqërohen me rritje të shpenzimeve nga forcat politike, kandidatët dhe nga qeveria, përmes shtimit të ritmit të investimeve publike.
Një rritje e parasë në qarkullim, sidomos në monedhën vendase, mund të ndikojë balancat e kërkesës dhe ofertës në kursin e këmbimit. Nëse kemi ofertë të shtuar të lekut në treg, teorikisht kjo do të sillte dobësim të monedhës vendase dhe forcim sidomos të euros, që është valuta me përdorim paralel në ekonominë shqiptare.
Kjo sigurisht nuk përjashton që shpenzimet zgjedhore mund kryhen edhe në euro, me efekt të kundërt te kursi i këmbimit.

Megjithatë, në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, ato të vitit 2013, pozitat mes euros dhe lekut ishin shumë të ndryshme.
Në muajt maj dhe qershor të atij viti, euro e kaloi disa herë pragun e 141 lekëve, duke arritur nivelet më të larta historike. Sidoqoftë, forcimi i euros në atë vit nuk ishte specifik vetëm për periudhën zgjedhore, po të kemi parasysh se monedha europiane qëndroi në nivele mjaft të larta gjatë gjithë vitit.
Këtë vit duket se as zgjedhjet nuk po e dobësojnë lekun, me gjithë rritjen e zakonshme të shpenzimeve qeveritare. Sipas Ministrisë së Financave, në katërmujorin e parë të vitit investimet publike janë rritur me 3.8 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa që nga muaji mars hyri në fuqi edhe rritja e rrogave në sektorin publik.
Mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë në muajin qershor, kur fushata elektorale do të kulmojë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.