Kursi i këmbimit, euro bie sërish – Forcohen dollari dhe paundi britanik

Ditën e enjte, monedha europiane humbi sërish pikë në tregun vendas të këmbimit valutor në raport me lekun. Rënia me 0.2 lekë për njësi erdhi pavarësisht deklaratës së Guvernatorit të BSH, Gent Sejko, se nuk do të lejohet një mbiçmim i shpejtë i lekut.
Tashmë euro ndodhet në kuotën e 125.2 lekëve në blerje dhe 126 lekëve në shitje. Megjithatë kjo rënie duket të jetë e ndikuar nga efekti i turizmit, duke parë që valutat e tjera si dollari amerikan apo stërlina u forcuan ndaj lekut.
Valuta e Shteteve të Bashkuara u forcua me 0.3 lekë për njësi, duke rikuperuar kështu tërësisht humbjet e javës. Dollari u rrit në kursin e 107.5 lekëve edhe për shkak të vlerësimit pozitiv të ekonomisë amerikane nga ana e Rezervave Federale. Ndërkohë edhe tensionet mes SHBA dhe Kinës kanë rritur ndjeshëm kërkesën për valutën amerikane.
Një rritje më të lehtë me 0.2 lekë për njësi ka regjistruar edhe paundi britanik, ende në pritje të një vendimi nga Banka Anglisë mbi rritjen e normës së interesit, çka do të përshpejtonte ritmin e zhvillimit të ekonomisë. Tashmë paundi ndodhet në nivelin e 140.7 lekëve, por me prezantimin e politikës së re monetare mund edhe të rritet përtej 141 lekëve.
Sa i takon disa prej valutave të tjera, dollari australian është dobësuar lehtë me 0.1 lekë për njësi, dollari kanadez është rritur me 0.3 lekë për njësi, ndërsa franga zvicerane qëndron në kuotën e 108 lekëve.
EUR/ALL 125.20 -126.00
USD/ALL 107.50 -108.30
GBP/ALL 140.70 – 141.50
AUD/ALL 79.20 – 80.00
CAD/ALL 82.50 – 83.20
CHF/ALL 108.00 – 109.00
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.