Kursi i këmbimit – Euro bie sërish, prek kuotën 122.31 lekë
Euro humbi sërish pikë të enjten në kursin e këmbimit me lekun. Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 122.31 lekë, në rënie të lehtë nga kursi 122.4 i ditës së mërkurë.
Ky është niveli më i ulët që euro ka regjistruar që nga 22 tetori i vitit 2008. Rinald Gjyli, zëvendësdrejtor i Departamentit të Thesarit në Credins Bank, thotë se afrimi i sezonit veror krijon rritjen e pritshmërive për një nënçmim të euros kundrejt lekut. Kjo mund të ketë shtyrë agjentë të caktuar ekonomikë që të shesin euro para nisjes së sezonit. Nga ana tjetër, mospërmbushja e pritshmërive për një korrigjim në rritje të kursit euro-lek mund të ketë bërë që investitorë të caktuar të heqin dorë nga euro dhe t’i konvertojnë fondet në monedhën vendase.
Afërsisht një vit më parë, ndodhi edhe nënçmimi më i shpejtë i regjistruar ndonjëherë i euros në kursin e këmbimit me lekun. Ky zhvlerësimi i shpejtë, në një kohë të shkurtër, e detyroi Bankën e Shqipërisë të ndërhynte në tregun valutor për të shmangur çrregullimet dhe për të frenuar efektet në objektivin e inflacionit. Ekspertët, megjithatë, nuk presin që rënia e shpejtë e vitit të kaluar në kursin euro-lek të përsëritet.
Ekspertët dhe Banka e Shqipërisë parashikojnë që kursi i këmbimit euro-lek për këtë vit të jetë i qëndrueshëm, pa luhatje të krahasueshme me ato të vitit 2018. Megjithatë, parashikimi i kursit të këmbimit është i vështirë, çka dëshmohet edhe nga rënia e papritur euros në javët e fundit. Po të kemi parasysh se ndodhemi në prag të verës, një periudhë e vitit kur leku ka tendencë sezonale mbiçmimi, nuk mund të përjashtohet që monedha vendase të fitojë më shumë terren.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.