Kursi i këmbimit, Euro gjen balancën në 133.5 lekë – Dollari forcohet kundrejt monedhës vendase

Monedha europiane duket se ka arritur një stabilitet në këmbimin valutor kundrejt lekut ditët e fundit, duke u shitur për 133.5 lekë dhe blerë për 134 lekë. Pavarësisht se gjendet në nivele ende të ulëta, çka nënkupton më pak fitim për ata që paguhen apo shesin në euro, monedha është në rrugën e forcimit. Që prej Muajit Gusht kur arriti në nivelin 131.9 lekë, është vënë re se valuta e eurozonës është në rritje të ngadaltë por të qëndrueshme.
Ndërkohë, java e fundit e Shtatorit solli një forcim të papritur të dollarit amerikan, duke kapërcyer nga 112.6 në 113.4 lekë brenda ditës. Kjo përkoi me rritjen në tregjet globale para deklaratave të politikave të Rezervës Federale.
Një javë më vonë, dollari jo vetëm nuk ka pësuar ulje, por është rritur dhe tashmë shitet për 113.7 lekë dhe blihet për 114.5 lekë.
Ndërkohë, në valutat e tjera shihet një rënie e paundit britanik i cili shitet për 151.2 lekë dhe blihet me 152 lekë. Dollari australian dhe dollari kanadez janë forcuar të dyja kundrejt lekut dhe këmbehen përkatësisht me 88.6 dhe 90.7 lekë.
Ndërsa franga zvicerane konfirmohet si një nga monedhat më të qëndrueshme. Ajo sot, më datë 3 Tetor 2017 shitet për 116.5 lekë dhe blihet me 117.5 lekë.
Për të ndjekur çdo ditë kursin e këmbimit valutor mund të vizitoni faqen e parë të portalit www.scan-tv.com, ose të ndiqni Radio Televizionin SCAN në llogarinë në Instagram.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.