Kursi i këmbimit, euro ndal rënien – Në pauzë edhe dollari amerikan, forcohet stërlina

Valuta e përbashkët europiane ka ndalur rënien ditën e sotme ndaj monedhës vendase, por vijon të qëndrojë në nivelin më të dobët të 10 viteve të fundit. E fiksuar në kuotën e 127 lekëve në blerje dhe 127.7 lekëve në shitje, euro do të përpiqet të rifitojë disa prej humbjeve në vijim. Gjatë mëngjesit të sotëm, luhatjet kanë qenë në favor të euros duke u rritur lehtë ndaj lekut.
I pandryshuar ka mbetur edhe kursi me të cilin këmbehet dollari amerikan, i ndalur në kuotën e 106.2 lekëve. Në vijim pritet që kjo valutë të rritet, pasi në tregjet ndërkombëtare kapi sot vlerën më të lartë të 4 muajve të fundit. Të dhënat pozitive të ekonomisë amerikane bënë që dollari të lërë pas edhe rivalë si euro, e cila tani këmbehet për 1.191 dollarë amerikanë.
Stërlina ndërkohë ka përfituar nga kjo ndalesë e lekut në tregun vendas, duke mundur të rifitojë 0.4 pikë nga humbjet e javës së kaluar. Megjithatë perspektiva e paundit duket ende e zymtë, pasi vijon të qëndrojë në nivele të ngjashme me periudhën pas referendumit të Brexit, në vetëm 144.2 lekë.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian është rritur lehtë me 0.1 pikë për të mbërritur në kuotën e 79.7 lekëve, dollari kanadez ka regjistruar një rënie prej 0.2 pikësh ndaj lekut dhe tashmë është në kuotën e 82.2 lekëve, ndërsa franga zvicerane vijon të këmbehet për 106 lekë, diçka që nuk ndodhte që nga viti 2010.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.