Kursi i këmbimit/ Vera nuk e mbiçmoi lekun, por kursi ngelet i qëndrueshëm
Këtë verë, leku nuk arriti mbiçmimin e zakonshëm sezonal ndaj euros, por, të paktën kursi i këmbimit për lekun është më i qëndrueshëm. Banka e Shqipërisë analizon se goditja e pësuar në fund të muajit mars u amortizua brenda muajit pasardhës dhe treguesit e rrezikut në tregun valutor janë stabilizuar tashmë. Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe mungesa e nënçmimit të fortë
të lekut pas përhapjes së pandemisë është ndikuar nga ulja e deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe.
Performanca e lekut në kursin e këmbimit është më e mirë krahasuar me shumicën e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, ku monedhat u nënçmuan ndjeshëm dhe disa prej tyre mbeten ende të tilla, si pasojë e përkeqësimit të pozicionit të jashtëm të ekonomisë. Deficiti tregtar i Shqipërisë u ngushtua me rreth 18% në terma vjetorë në tremujorin e dytë të vitit, kryesisht për shkak të uljes së importeve
Që nga muaji prill, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut ka qëndruar pranë nivelit të 124 lekëve. Në fillim të muajit gusht, euro pësoi një rënie të lehtë, deri në vlerën e 123.4 lekëve, por pa zbritur më shumë.
Në krahasim me një vit më parë, leku është nënçmuar kundrejt euros me rreth 1.4%. Sipas Bankës së Shqipërisë, reduktimi i prurjeve sezonale të turizmit dhe dobësimi i aktivitetit ekonomik në përgjithësi kanë diktuar mungesën e mbiçmimit sezonal të lekut gjatë tremujorit të dytë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.