Kursi i këmbimit, dollari ngjitet për të dytën ditë rresht – Paundi merr një goditje, zbret edhe më tej

Tregu vendas i këmbimit valutor ditën e martë ka regjistruar disa luhatje të rëndësishme në shportën e monedhave kryesore ndërkombëtare.
Lajm i rëndësishëm për investitorët është përpjekja e dollarit amerikan për t’u kthyer në nivelet e javëve të mëparshme. Vetëm kundrejt javës së kaluar, tashmë dollari ka fituar 1.2 pikë më shumë ndaj monedhës vendase, ku 0.4 pikë i ka rikuperuar vetëm 24 orët e fundit.
Kjo rritje është mbështetur nga një rritje e mëtejshme në yield-et e bonove të SHBA, e cila ka krijuar një pauzë në dobësitë e valutës. Një ndikim të mëtejshëm në vlerën e valutës pritet të ketë edhe fjalimi i presidentit Trump që do të zhvillohet më vonë gjatë ditës.
Luhatja më e madhe e ditës i takon paundit britanik, i cili është zhvlerësuar me plot 0.9 pikë kundrejt monedhës vendase. Kjo rënie vjen si e papritur, por vlera e stërlinës është e lidhur ngushtë me ndjeshmërinë e tregut. Gjithsesi, valuta ishullore mbetet në nivele relativisht të larta kundrejt lekut.
Euro ka mbetur e pandryshuar në kursin e këmbimit me lekun. Duket se kjo valutë do të qëndrojë në kuotën e 133.2 lekëve, të paktën për sa kohë që nuk ka një ndryshim të papritur të politikave të Bankës Qendrore Europiane.
Një rritje të fortë krahasuar me vlerat e të hënës ka edhe për frangën zvicerane, e cila ka grumbulluar plot 0.7 pikë më shumë ndaj lekut. Tashmë kjo valuta fiksohet në kursin e 115 lekëve.
Rritje ka patur edhe për dollarin kanadez, në ngjitje me 0.3 pikë ndaj lekut. Nëse kjo valuta dje në tregun vendas ishte e barabartë me dollarin australian, për këtë të fundit sot ka patur një zhvlerësim, duke bërë që ai të kapë vlerën e 86.5 lekëve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.