Kursi i këmbimit – Leku vijoi të forcohet edhe në tremujorin III

Leku vijoi forcimin në kursin e këmbimit valutor edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi vjetor i lekut ndaj monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë kulmoi në periudhën qershor – gusht, me 5.3%, ndërsa u zbut në 5.1% në muajin shtator.
Stabilizimi i shtatorit është ndikuar nga forcimi më i vogël i lekut kundrejt monedhës evropiane, ndërkohë që kundrejt monedhave të tjera të shportës, leku ka vijuar të forcohet me ritme të njëjta.
Në terma realë, mbiçmimi i lekut ka qenë më i moderuar krahasuar me mbiçmimin nominal, si rrjedhojë e një inflacioni më të ulët në vend krahasuar me atë mesatar në vendet partnere. Mbiçmimi real vjetor i lekut ka zbritur në 4.6% në muajin shtator, nga 5.6% që rezultoi në muajin qershor.
Kursi nominal i këmbimit llogaritet kundrejt monedhave të pesë partnerëve tregtarë kryesorë, që janë Italia, Greqia, Gjermania, Turqia dhe Kina, duke përdorur peshat përkatëse në tregti. Kursi real efektiv i këmbimit llogaritet në mënyrë të ngjashme, por duke faktorizuar edhe normat e inflacionit në vend dhe në vendet partnere.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i lekut në dy vitet e fundit është nxitur nga përshpejtimi i rritjes ekonomike në vend. Banka Qendrore gjykon se shpejtësia e forcimit të lekut i dedikohet dy zhvillimeve të njëkohshme: prurjeve të larta valutore në formën e investimeve të huaja direkte dhe ngushtimit të deficitit të llogarisë korrente. Këto zhvillime kanë rezultuar në një tepricë valute në treg, çka ka sjellë edhe mbiçmimin e shpejtë të lekut gjatë kësaj periudhe.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.