Kursi i këmbimit, Paundi Britanik nis ngjitjen – Dobësohet Dollari Amerikan, Euro ende e ulët

Kursi i këmbimit valutor ditën premte ka shënuar një rritje të papritur të monedhës britanike, e cila ka nisur ringjitjen, pas një javë që e ka dobësuar kundrejt të gjitha monedhave ndërkombëtare, duke e çuar në nivelin më të ulët të 30 ditëve të fundit.
Kështu, paundi është shtrenjtuar me 1 lek, duke u këmbyer ditën e fundit të javës për 148 lekë dhe duke u blerë me 149 lekë.
Nga ana tjetër, dollari amerikan ka pësuar një rënie e tashmë shitet për 112.7 lekë e blihet me 113.5 lekë. Ulja me gjysmë leku mund të jetë rezultat edhe i politikave të Bankës Qendrore Europiane, e cila pret që deri në fund të vitit të ardhshëm të forcohet kundrejt valutës amerikane. Parashikimet presin që raporti Euro/USD të arrijë në 1.27, pra në nivelin e mesit të vitit 2014. Kjo do të kërkonte një rritje me vetëm 0.1 pikë, gjë të cilën monedha europiane e ka bërë edhe nga muaji Maj deri në Shtator.
Në raport me monedhën vendase, euro vijon të jetë i qëndrueshëm. Valuta europiane shitet për 133.2 lekë dhe blihet me 133.8 lekë.
Sa i takon kursit të këmbimit me monedhat e tjera kryesore, në ditën e sotme Dollari Australian dhe ai Kanadez kanë pësuar ulje me 0.3 pikë secili dhe shiten përkatësisht për 88.2 lekë dhe 90 lekë.
Sakaq, franga zvicerane ka rënë në nivelin më të ulët të javës, e tashmë shitet për 114.8 lekë dhe blihet me 115.5 lekë. Kjo valutë mbetet ende larg vlerave të larta të para stinës së verës.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.