Kursi i këmbimit, rrëzohet dollari amerikan – Zhvlerësohet edhe paundi britanik. Euro ende e dobët

Dollari amerikan ka pësuar një rënie të fortë në tregun e këmbimit valutor ditën e premte, zbritjen më të madhe që prej javës së dytë të Tetorit. Dobësimi me 0.4 pikë kundrejt lekut erdhi si pasojë e krizës që preku investitorët në tregjet ndërkombëtare, të zhgënjyer që shkurtimi i lajmëruar i taksave mund të shtyhet deri në vitin 2019.
Edhe pse nga një zhvillim i tillë përfitoi disi valuta e unionit europian, ajo mbetet ende shumë e dobët dhe larg niveleve të muajit Shtator kundrejt dollarit. Një euro shitet sot për 1.163 dollarë, një ndryshim minimal në raport me ditën e djeshme.
Euro e kaloi javën e pandryshuar në kursin ndaj lekut, në nivelin e 133 lekëve. Kjo është në përfitim të konsumatorëve shqiptarë që bëjnë shpenzime në euro, por në dëm të atyre që paguhen në këtë valutë.
Ndërkohë, pavarësisht një rënieje prej 0.2 lekësh ditën e premte, paundi britanik mbyll javën në rritje me 0.5 lekë krahasuar me ditën e hënë. Performanca e valutës është ndikuar edhe nga skandalet politike që shoqëruan qeverinë e Theresa May.
Javë pozitive ka qenë është për frangën zvicerane, e cila ka fituar plot 1 lekë në raport me monedhën vendase. Gjysma e rritjes ka ardhur vetëm ditën e sotme.
Sa i takon valutave të tjera, e premtja shënoi një rënie prej 0.5 lekësh për dollarin australian, gjë e cila nuk është ndjekur nga dollari kanadez, i pandryshuar në vlerën e 90 lekëve.
Valuta | Shitet | Blihet |
EUR/ALL | 133.00 | 133.70 |
USD/ALL | 114.30 | 115.00 |
GBP/ALL | 150.30 | 151.10 |
AUD/ALL | 87.50 | 88.50 |
CAD/ALL | 90.00 | 91.00 |
CHF/ALL | 115.00 | 115.80 |
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.