Kursi i këmbimit, rriten valutat kryesore – Paundi britanik vazhdon “arratinë”

Stërlina ka vazhduar trendin rritës edhe gjatë ditës së sotme dhe është duke iu drejtuar niveleve më të larta të muajve të fundit. Në raport me monedhën vendase paundi britanik fitoi 0.8 pikë të tjera, duke mbërritur në kursin e 152.5 lekëve.
Perspektiva më e mirë për një marrëveshje të daljes nga Bashkimi Europian, si dhe dobësia e dollarit amerikan ka ndihmuar stërlinën të rritet me 5% që prej fillimit të vitit.
Ndërkohë, dollari pati një ngritje të lehtë ditën e sotme, pas njoftimit të Rezervës Federale për rritje të inflacionit këtë vit. Megjithatë monedha e SHBA ka mbetur në nivelet më të ulëta të tre viteve të fundit.
Në tregun vendas përmirësimi i lehtë është përkthyer në një forcim me 0.1 pikë ndaj lekut.
Një rritje minimale ka patur edhe valuta e Eurozonës. Euro ka fituar 0.1 pikë ndaj lekut, duke kapur nivelet e ditës së hënë në kursin e 133.2 lekëve.
Sa i takon valutave të tjera, franga zvicerane u zhvlerësua ndaj lekut me 0.1 pikë. Rënie kanë regjistruar edhe dollari australian dhe ai kanadez me përkatësisht 0.6 dhe 0.3 lekë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.