Kursimi i këmbimit “i përgjumur”, valutat shfaqin luhatje minimale gjatë javës – Euro i fiksuar në 125.5 lekë
Dinamika e tregut të këmbimit valutor në vend ka qenë e përgjumur gjatë kësaj jave, ku për të katërtën ditë radhazi nuk regjistrohen luhatje të konsiderueshme në kurset e valutave kryesore. Euro qëndron prej ditësh i fiksuar tashmë në kuotën e 125.5 lekëve në blerje dhe 126.5 lekëve në shitje. As në vijim nuk pritet ndonjë zhvlerësim i euros, pasi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi të mërkurën se do të vazhdojnë ndërhyrjet në tregun valutor për të mos lejuar mbiçmimin e lekut.
Në të njëjtat pozita si ditën e mërkurë qëndron edhe paundi britanik, i cili këmbehet për 142 lekë në blerje dhe 143 lekë në shitje. Stërlina nuk ka mundur të përfitojë nga treguesit pozitivë të ekonomisë që tregojnë rritje në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit.
Ndërkohë, dollari amerikan është zhvlerësuar lehtë me 0.1 lekë për njësi gjatë ditës së sotme. Megjithëse në raport me fillimin e javës zhvlerësimi është në 0.4 lekë për njësi, ndikuar pjesërisht nga ndikimet në tregjet ndërkombëtare lidhur me kërcënimet e një lufte tregtare. Dollari ndalet sot në kuotën e 107.4 lekëve në blerje dhe 108.3 lekëve në shitje.
Ndër valutat e tjera kryesore që këmbehen në vend, dollari australian është zhvlerësuar me 0.5 lekë për njësi, dollari kanadez është ulur me 0.1 lekë për njësi, ndërsa franga zvicerane ka humbur 0.4 lekë për njësi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.