Berati, “Ylli” në ngjitje i kabinetit të ri
Lira turke ka shënuar nivele rekord të ulëta në javën e fundit që sipas analistëve vjen nga mungesa e vullnetit të Qeverisë për të balancuar politikat monetare, ndërkohë që inflacioni ka arritur në nivele dyshifrorë. Rënia është përkeqësuar edhe nga tensionet gjeopolitike në Siri.
Një tjetër indikator është qasja politike nën presidentin Erdogan, duke i dhënë prioritet rritjes ekonomike dhe jo kontrollit të inflacionit, e cila ka irrituar investitorët e tregjeve në zhvillim prej kohësh. Presidenti ka parandaluar tkurrjen monetare, pavarësisht inflacionit që qëndron në 10.23%.Erdogan vazhdon të mbetet një ndër liderët më popullor në Turqi.
E megjithatë Erdogan e ka quajtur rënien e fundit të lirës me rreth 4% si një sulm ekonomik nga armiqtë e Turqisë. Megjithatë, sipas investitorëve, tregjet kanë qenë në pritje për një rritje të normës së interesit nga banka qendrore. Erdogan ka bërë thirrje për të mbajtur normën e interesit në nivel rekord të ulët për të nxitur rritjen ekonomike.
Lira e Turqisë u vu në pikëpyetje në sajë të shumë ndodhive të ndodhura së fundmi ku ndër tjera diskutohet se ka ndikuar dhe emërimi i ministrit te financave. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan emëroi dhëndrin e tij Berat Albajrak si ministër të financave në kabinetin e ri turk .
Albayrak do të jetë në krye të një ministrie të re të thesarit dhe financave, rol i cili u përkiste më parë zv/kryeministrit Mehmet Simsek dhe ministrit të financave Naci Agbal.
Berat Albayrak, i emëruar në postin e ministrit të Financave në kabinetin e ri turk, është dhëndri i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka pasur një rritje të konsiderueshme në radhët e larta politike. Albayrak ka shërbyer si ministër i energjisë që nga viti 2015.
Burri 40-vjeçar i vajzës më të madhe të Erdoganit, Esra, luajti rol kyç në Ministrinë e Energjisë në nëntor të vitit 2015 dhe po në qershor të atij viti fitoi një vend në parlament .
Në vitin 2016, Albayrak mbajti një takim të rëndësishëm me një ministër izraelit, homologu i tij i atëhershëm Yuval Steinitz, në kuadër të një marrëveshjeje me shtetin hebre për normalizimin e lidhjeve të tyre .
Sipas “Bloomberg”, caktimi i befasishëm i Albayrak si ministër i Thesarit dhe i Financës i jep atij detyrën për të menaxhuar rritjen e shpejtë të ekonomisë së pa balancuar të Turqisë dhe fitimin e besimit të tregut. Kritikët thonë se ngritja e tij ka të bëjë me pretendimet e nepotizmit dhe favorizimeve që kanë rrethuar familjen Erdogan. Megjithatë vëzhgues të afërt me autoritetet ‘e zhveshin’ Albayrak nga paragjykimet dhe e përshkruajnë atë si një nga figurat më të afta në qeveri. Por shpesh njihet thjesht si “damat”, që në turqisht do të thotë dhëndër.
Erdogan, i cili u betua si presidenti i parë ekzekutiv i Turqisë të hënën, ishte shprehur më herët se ka në plan të marrë më shumë kontroll mbi politikën ekonomike në rolin e tij të ri.
Ai gjithashtu është zotuar të ulë normat e interesit gjatë bisedimeve me investitorët ku thuhet se Banka Qendrore duhet të mbajë normat reale të politikave të larta për të mbështetur asetet e vendit dhe për të ndihmuar ekonominë të ngadalësohet.
M.R/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.