Kush është Enkelejda Muçaj, Avokatja e re e Shtetit / Karriera si këshilltare dhe puna në kompani të njohura
Enkelejda Muçaj është emëruar si Avokatja e re e Shtetit shqiptar. Ajo ka asistuar në këshillim klientë të huaj dhe vendas që operojnë veçanërisht në sektorin e naftës, gazit dhe xehetarisë, si dhe industrinë e telekomunikacionit në Shqipëri në transaksione që lidhen me shitjen dhe blerjen e pasurive të patundshme dhe aktiveve operative, si dhe vlerësimin dhe negocimin e çështjeve rregullatore me autoritetet kompetente shqiptare, blerjen e pasurive të patundshme dhe konsultimet për çdo çështje relevante legjislative.
Znj. Muçaj ka qenë gjithashtu Këshilltare Ligjore e Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë (1998-2000), duke ofruar ndihmë juridike posaçërisht në lidhje me kornizën e re ligjore të ligjit për të drejtat e autorit në Shqipëri dhe ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në lidhje me Ligjin për të drejtat e autorit në negociatat e zhvilluara me OBT për qëllime të pranimit të Shqipërisë në këtë organizatë.
Ajo gjithashtu u ka ofruar ekspertizë autoriteteve të qeverisë shqiptare në lidhje me harmonizimin e legjislacionit kombëtar me ligjin ndërkombëtar të pronësisë intelektuale.
Avokatja e re e Shteti ka qenë gjithashtu ligjëruese për lëndën “Ligji mbi pronësinë intelektuale” pjesë e Programit Juridik të Universitetit të New York Tirana (që nga 2013). Ajo përgjatë karrierës së saj ka punuar gjithashtu për shumë firma prestigjioze të huaja.
Znj. Enkelejda Muçaj është e pasur gjithashtu në edukim, duke marrë diplomën e saj të parë në Universitetin e Tiranës, në fillim në degën e gazetarisë pastaj dhe në fushën e juridikut. Ajo ka dy diploma nga IBA and College of Law of England and Wales në degët: “Shkrirjet dhe blerjet e kompanive internacionale” dhe “Tregjet e kapitalit ndërkombëtar dhe huatë”. Masterin Znj. Muçaj e ka përfunduar në Torino, në fushën e ligjit të pronësisë intelektuale.
Dosti Banushi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.