Kush i mori paratë e garancive të qeverisë? 3 sektorët më përfitues, mes tyre 15 media
Pavarësisht vështirësive në të cilat u ndodhën për shkak të pandemisë COVID-19, ku pjesa më e madhe e ekonomisë u mbyll për afro dy muaj dhe kompanitë u gjendën të papërgatitura për mbajtjen në “këmbë” të aktivitetit të tyre, sërish garancitë sovrane të vëna në dispozicion nga qeveria për lehtësimin e situates, nuk janë përqafuar në nivelin e pritshëm.
Nga 26 miliardë lekë të “ngrira” përmes garancisë sovrane 1 dhe 2, bizneset deri më tani kanë arritur të marrin një vlerë prej 9.9 miliardë lekësh apo rreth 80 milionë eurosh. Në total, nga të dyja garancitë kanë përfituar kreditim 654 kompani, kryesisht tatimpagues të mëdhenj.
“Garancia Sovrane 1”, u paguan 51 mijë punonjës
Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, 750 subjekte kanë aplikuar për të përfituar nga ‘garancia sovrane 1’, ku janë miratuar 504 aplikime me një vlerë prej 6 miliardë lekësh, duke paguar kështu pagat për rreth 51.707 punonjës.
‘Garancia sovrane 1’ me një vlerë prej 11 miliardë lekësh u vu në jetë si mekanizëm emergjent për kompanitë, në mënyrë që të mos shkurtonin staf por të mund të kreditoheshin për të paguar punonjësit e tyre nëse nuk kishin likujditet të mjaftueshëm.
Qeveria mori përsipër subvencionimin në masën 100 për qind të normave të interesit. Por pavarësisht kësaj, duket se thuajse vetëm gjysma e fondit është arritur të përthihet dhe përdoret nga bizneset. Tre sektorët që kanë përfituar më së shumti, nga kreditë me norma interesi të subvencionuara dhe duke përdorur qeverinë si garantor janë sektori i prodhimit, me 145 subjekte dhe një vlerë totale kredie prej 2.1 miliardë lekësh, duke mundësuar kështu pagat për afro 26 mijë punonjës, nga të cilët më shumë se gjysma i përkasin industrisë fason.
I ndjekur nga sektori i tregtisë, ku janë miratuar aplikimet për 141 biznese me një vlerë prej 986 milionë lekësh, ku janë paguar 8443 punonjës dhe sektori i shërbimeve, ku janë kredituar 76 subjekte me një vlerë prej 686 milionë lekësh dhe përfitues janë 5184 punonjës. Ndërkaq, janë mbështetur edhe 50 kompani në fushën e ndërtimit, 15 media, 15 biznese në fushën e edukimit. Ndërsa më pak interes dhe rrjedhimisht edhe përfitim, ka pasur indusria përpunuese, miniera, aktivitetet e qiradhënies dhe aktivitetet profesionale shkencore dhe teknike.
“Garancia Sovrane 2”, më pak interes
Ndonëse shuma e vënë në dispozicion për kompanitë në garancinë sovrane dy ishte më e lartë, në rreth 15 miliardë lekë, interesi nga ana e biznesit ka qenë më i ulët. Konkretisht, sipas të dhënave zyrtare, nga garancia sovrane 2 kanë përfituar 150 subjekte në total me një vlerë prej rreth 3.9 miliardë lekësh.
Sektorët që kanë marrë më shumë para janë tregtia, me rreth 2.2 miliardë lekë apo 76 subjekte, shërbimet me 36 subjekte dhe 697 milionë lekë dhe prodhimi me 22 subjekte dhe një vlerë totale 239 milionë lekë.
Ndërsa sektortët e tjerë si ndërtimi, turizmi, transporti dhe industria përpunuese kanë shfaqur interes të vakët dhe numri i përfituesve është shumë i ulët. Garancia e dytë sovrane u vendos në dispozicion të bankave tregtare nga qeveria shqiptare si mekanizëm që të mundësojnë huadhënien për bizneset për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime, me qëllim rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar, pas pasojave të shkaktuara nga COVID-19.
Ministria e Financave mori përsipër të garantojë 60% të principalit të çdo Huaje që Huadhënësi do t’u lëvrojë Huamarrësve sipas kushteve të marrëveshjes, ndërsa vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga bankat për bizneset mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Huamarrësi, por në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300 milionë lekë. Afati i kredisë vendoset mes palëve, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 vite. Një nga arsyet e stepjes së biznesit, ka qenë pritshmëria e tyre për një paketë të tretë lehtësuese nga ana e qeverisë.
Nga Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
Lexo numrin e plotë të revistës:
http://online.anyflip.com/sbspu/cvce/mobile/index.html#p=18
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.