Kush janë 4 ministrat e rinj të qeverisë

Ndryshimet në kabinetin qeveritar tashmë janë konfirmuar zyrtarisht. Emrat e rinj të propozuar si anëtar kabineti janë 2 drejtues komisionesh parlamentare, një deputete dhe një drejtore e rëndësishme e sistemit shëndetësor, raporton SCAN. Po kush janë ministrat e rinj:
-Ogerta Manastirliu, e propozuar si ministre e Shëndetësisë
Është drejtore e Qendrës Spitalore Universitare që prej vitit 2013. Ajo ka mbajtur më parë postin e drejtoreshës së Strehimit në bashkinë e Tiranës 2006-2011, post nga i cili u largua pas zgjedhjeve vendore të vitit 2011. Ka studiuar për Shkenca Natyre.
-Olta Xhaçka, e propozuar si ministre e Mirëqënies Sociale
Është deputete e Partisë Socialiste e zgjedhur në 2 legjislatura. Aktualisht është anëtare e Komisionit parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master of Arts (MA), për Administrim Publik nga Clark University, USA. Referuar CV zyrtare, në vitin 2006 ka qenë hartuese projektesh për organizata joqeveritare në Amerikë po ashtu ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile. Për disa vite ka qenë pedagoge e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
-Fatmir Xhafaj, propozuar si ministër i Brendshëm
Është deputet i Partisë Socialiste prej 4 legjislaturash e kryetar I Komisionit të Ligjeve që prej vitit 2013. Ka studiuar për drejtësi dhe që prej vitit 1982 ka punuar në sistem. Përgjatë viteve ’90 ka ushtruar profesionin e juristit, avokatit e konsulentit ligjor. Që prej vitit 1997 është angazhuar në detyra publike, fillimisht si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, më pas si Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit (2002) e më pas si ministër i Drejtësisë (2003-2005). Përgjatë periudhës 2005-2017, Xhafaj ka mbajtur detyra të rëndësishme parlamentar si nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, kryetar i Komisionit të Ligjeve, anëtar i komisionit për Reformës Zgjedhore, kryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi etj.
-Eduard Shalsi, propozuar si ministër i Çështjeve Vendore
Është deputet i Partisë Socialiste dhe kryetar i Komisionit parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, që prej vitit 2013. Ka studiuar në Shkencat e Natyrës dhe më pas për ka bërë studime për sistemin bankar. Referuar CV zyrtare, në periudhën 1990-1992 ka punuar si Mësues Biologjie dhe Kimie në shkolla të ndryshme të Tiranës. Në periudhën 1992-1995 ka jetuar në Greqi ndërsa më pas është kthyer në Shqipëri ku në periudhën 1996-2003 ka punuar në sistemin bankar. Në vitet 2003-2004 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i INSIG ndërsa në vitin 2004 deri në vitin 2008 ka qenë drejtor i kabinetit të kryetarit të Bashkisë në Tiranë e më pas në vitet 2008-2009 ka qenë zëvëndëskryetar i Bashkisë së Tiranës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.