Kush janë “fituesit” e zgjedhjeve në Itali dhe cilat janë skenarët që priten për qeverinë e re?

Avancimi me procesin e numërimit të votave po dëshmon gjithnjë e më shumë se forcat antisistem Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord janë “fituesit” e këtyre zgjedhjeve në Itali. Rezultatet paraprak e parashikimet nxjerrin në vend të parë Lëvizjen 5 Yjet . Qendra e djathtë e kryesuar nga Silvio Berluskoni rezulton koalicioni kryesues ndërsa e majta e Mateo Renzi është në vend të tretë duke pësuar një humbje të thellë në mandate e në pushtet e duke u përgatitur ndoshta për një legjislaturë opozitare. Gjithsesi, asnjë subjekt politik nuk parashikohet se do të mund të formojë i vetëm qeverinë pasi asnjë nuk ka marrë minimumin e 40 përqindëshit që konsiderohet si kufiri i mazhorancës në dhoma.
Mazhoranca absolute në parlament kërkon 316 vende. Sipas parashikimeve, Lëvizja 5 Yjet që është edhe forca e parë politike, mund të marrë 235 vende. Dmth kësaj force i mungojnë 81 vende për të siguruar mundësinë e formimit të një qeverie. Qendrës së Djathtë i mungojnë 64 mandate ndërsa mazhoranca aktuale është minus 201 mandate krahasuar me legjislaturën ekzistuese.
Në Senat për të pasur mazhorancën nevojiten 158 vende. Asnjëra nga forcat nuk i arrin dot. Lëvizja 5 Yjet arrin në maksimum 114 vende ndërsa qendra e djathtë arrin në 134 mandate. PD-ja dhe qendra e majtë ndalen në kuotën e 51 vendeve, pra më pak se 1/3 e asaj që nevojitet.
Në fund të muajit pritet të nisë edhe procesi i formimit të qeverisë së re. Duke parë numrat, detyra kryetarit të shtetit nuk parashikohet të jetë e lehtë, shkruan Corriere.
Aleancat e mundshme
Para se të nisë qeverisjen, kryeministri i ri duhet të arrijë të marrë votëbesimin në parlament e Senat. Problemi është te skenarët klasikë që hapen sapo formohet parlamenti i ri. Nëse analizohen numrat, është e mundshme një qeveri 5 Yjet-PD por rruga është jo praktike, për të mos thënë e pamundur.
Në teori do të ishte e mjaftueshme për të qeverisur një koalicion mes forcave politik anti-sistem 5 Yjet-Lega Nord, që janë edhe fituesit e vërtetë të kësaj gare elektorale. Nga ana tjetër janë vetë eksponentët e qendrës së djathtë, veçanërisht Forza Italia e Berluskonit që nuk besojnë te kjo natyrë bashkëpunimi. Ndaj, nuk përjashtohet edhe mundësia e një qeverie uniteti kombëtar që përfshin të gjitha forcat politike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.