Kush shtet fiton më shumë nga tregu europian?
“Duke studiuar të ardhurat në 300 qytete në të gjithë Europën, hulumtuesit theksuan se përfitues të mëdhenj nga tregu i përbashkët europian janë banorët në Hamburg dhe Mynih të Gjermanisë.”
Tregu i përbashkët europian pa barriera doganore, gjeneron 420 miliardë euro çdo vit, apo 840 euro për banor në mesatare. Kjo shifër është e barabartë me 2.5% të të gjithë Produktit të Brendshëm Bruto të Bashkimit Europian. Megjithatë, kjo vlerë e shtuar nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë, sipas një studimi të firmës hulumtuese gjermane, Bertelsmann Foundation. Duke studiuar të ardhurat në 300 qytete në të gjithë Europën, hulumtuesit theksuan se përfitues të mëdhenj nga tregu i përbashkët europian janë banorët në Hamburg dhe Mynih të Gjermanisë, si dhe eksportuesit më të vegjël të Europës si Holanda, Austria dhe Belgjika. Përfitimet mesatare për frymë në Oberbayern, Mynih dhe Hamburg, vlerësoheshin në 1,489 euro dhe 1,478 euro në mënyrë respektive. Megjithatë, vendi ka pabarazi të theksuara nga lindja në perëndim, ndërkohë që përfitimet për shtetet lindore gjermane Brandenburg dhe Mecklenburg, ishin vetëm 672 euro dhe 700 euro për person.
Përfituesit më të mëdhenj nga tregu europian
Zyrihu në Zvicër, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian, si dhe Londra e ndikuar nga Brexit, kishin përfitime për frymë në 3,590 dhe 2,700 euro në mënyrë respektive, duke nënkuptuar se disa prej “fituesve kryesorë” qëndrojnë jashtë apo gati për të dalë nga Bashkimi Europian, sipas Bertelsmann Foundation. Luksemburgu përfitonte 2,800 euro për frymë, ndërsa shifra për Irlandën qëndronte në 1,900 euro. Në 28 vendet anëtare të tregut të përbashkët europian dhe Zonën Ekonomike Europiane që përfshin dhe Norvegjinë, nuk kanë qenë ekonomitë e mëdha që kanë përfituar më shumë, por vendet relativisht të vogla që kanë fuqi të madhe eksportuese.
Europa Jugore, e prapambetur
Në Europën Jugore, përfitimet në të ardhura nga tregu i përbashkët kanë qenë më të ulëta, kryesisht prej konkurrueshmërisë së dobët, ndërkohë që Spanja, Portugalia dhe Greqia regjistruan të përfitime për frymë në 590, 500 dhe 400 euro, në mënyrë respektive. Përfitimet më të ulëta nga tregu i përbashkët europian janë regjistruar në Bullgari, Rumani dhe Greqi, në një varg nga 150-500 euro. Këto janë vende ku Bashkimi Europian ka aplikuar shumë programe për të nxitur infrastrukturën. Hulumtuesit krahasuan gjendjen aktuale në Europë me një skenar të simuluar që supozon se zhduket tregu i përbashkët.
Industria e shërbimit, në fokus
Raporti bën thirrje për aplikim më të gjerë të rregullave dhe standardeve të përbashkëta të Bashkimit Europian, në mënyrë që firmat e industrisë së shërbimeve në veçanti, të përfitojnë në mënyrë të drejtë në të gjithë Europën. Pavarësisht se sektori i shërbimeve gjeneron rreth 75% të vlerës së shtuar në Europë, vetëm 30% e këtyre shërbimeve eksportohen gjerësisht në Bashkimin Europian. Tregu i përbashkët, i themeluar në vitin 1993, përshkruan lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, përfshirë lirinë për të zgjedhur një vend të rezidencës. Kjo u ndoq nga valuta e përbashkët europiane në vitin 1999, që përdoret në 19 nga 28 vendet e Bashkimit Europian.
KLEVIS LLAHA – SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.