Kushtet financiare në Eurozonë – Qëndrojnë ende shumë lehtësuese, pavarësisht rritjes së euros

Euro ka patur performancën më të mirë në valutat kryesore të botës këtë vit, megjithatë, kushtet financiare në Eurozonë qëndrojnë shumë lehtësuese. Tregjet e kapitalit janë në rritje, kthimet e titujve të borxhit dhe normat e interesave janë të ulëta, spreadet e kreditit vazhdojnë në tkurrje dhe rritja e kreditit qëndron e fortë, falë qindra miliarda euro të blerjes së obligacioneve nga Banka Qendrore Europiane.
Kushtet financiare janë afër nivelit më të lehtë që prej krijimit krijimit të valutës në 1999.
Fuqizimi i valutës pritet të diskutohet në takimin e ardhshëm të bankës Qendrore Europiane dhe do të jetë një nga pikat kryesore në fjalimin pas takimit që do të japë presidenti i institucionit, Mario Draghi.
Euro është rritur me 10% kundër dollarit dhe sterlinës në vetëm 3 muaj, duke thyer këtë javë nivelin prej 1.20 dollarë, për të parën herë në thuajse 3 vite. Nëse fuqizimi vazhdon me këtë ritëm, rritja ekonomike dhe objektivat e inflacionit të BQE do të cënoheshin.
Megjithatë, sipas bankë franceze BNP Paribas, fuqizimi i valutës është një reflektim i përmirësimit të ekonomisë së Eurozonës. Blloku i valutës së përbashkët është rritur me normën më të shpejtë në 6 vite dhe këtë javë, Moody’s, u kthye në agjencinë e fundit që rrit projeksionet.
Rritja ekonomike e Eurozonës është nxitur kryesisht nga eksportet e për rrjedhojë ka qenë tejet e ndjeshme ndaj luhatjeve në kursin e këmbimit. Megjithatë, ekonomia tashmë po merr nxitje nga kërkesa e brendshme, duke minimizuar efektet e fuqizmit të euros.
Në rritjen vjetore prej 1.8% në tremujorin e parë, kërkesa e brendshme kontribuoi me 2.2% ndërsa tregtia neto i hoqi 0.4% normës përfundimtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.