Kushtet higjieno-sanitare në shkolla – Manastirliu: Inspektime masive në të gjitha institucionet arsimore të vendit

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka nisur kontrollet masive në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare.
Gjatë inspektimeve në shkollën 9-vjeçare “Dine Ismaili” dhe shkollën e mesme “Janaq Kilica”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se deri më tani janë kryer 1094 inspektime në terren.
“Për ti paraprirë fillimit të vitit të ri shkollor, nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor janë kryer 1094 inspektime, 119 prej të cilave vetëm në Fier, në institucione arsimore publike dhe jo publike parashkollore dhe shkollore, për plotësimin e kushteve higjieno-sanirare në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e duhur e vitit të ri shkollor që nis pas pak ditësh”, tha Manastirliu.
Ndërkohë, ministrja shtoi më tej se do të bëhet po ashtu riverifikimi në të gjitha institucionet arsimore nëse i kanë plotësuar detyrat e caktuara nga Inspektorati, në mënyrë që shkollat të jenë gati me standardet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019.
E pranishme gjatë inspektimeve në shkollat e Fierit ishte edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.