Kushtetuesja përsëri në Vetting – Gjyqtari Hoxha mbrohet me paratë e dasmës dhe shitjes së shtëpisë
Ka qenë radha e Fatmir Hoxhës, një tjetër gjyqtari të Kushtetueses të kalojë të hënën paradite në siten e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të justifikua pasurinë, profesionalizmin dhe integritetin personal. Hoxha ka zgjedhur të mos paraqitet personalisht përpara Komisionit të Vetting-ut, duke ia deleguar përfaqësimin avokatit Julian Mërtiri.
Sipas trupit Gjykues, në deklaratën e pasurisë së Hoxhës janë konstatuar disa parregullsi, që lidhen me një apartament me vlerë 140 mijë euro në Tiranë, një llogari bankare prej rreth 270 mijë lekësh në vitin 2003, dhe një tjetër llogari prej rreth 11 milionë lekësh e deklaruar në vitin 2012. Deri përpara vitit 2017, Hoxha kishte shlyer rreth 102 mijë euro nga vlera totale e apartamentit, ndërkohë që po këtë vit ai ka shlyer tërë diferencën.
Avokati i Hoxhës sqaroi përpara trupit gjykues, se shlyerja e apartamentit është bërë vit pas viti nga Hoxhaj, përmes të ardhurave familjare, një borxhi prej 28,500 euro marrë nga kunati i tij, si dhe përmes një kredie të butë prej 5 milionë lekësh me kohëzgjatje 22 vjeccare. Avokati Mërtiri dha sqarime gjithashtu edhe për dy deklarata të dyshimta pasurie të evidentuara nga Komisioni i Vetting-ut: njëra që i përkiste vitit 2003, me vlerë 275 mijë lekë, dhe tjetra me vlerë rreth 11 milionë lekë e vitit 2012. Sipas shpjegimeve të Mërtirit, shuma prej 275 mijë lekësh është deklaruar gabim nga vetë Gjyqtari në vitin 2003, dhe është korrigjuar një vit më pas. Bëhet fjalë për një shumë parash të dhuruara gjatë dasmës së Gjyqtarit Hoxhaj në vitin 2002, për të cilën Avokati vuri në dispozicion edhe pamjet filmike. Sa për shumën prej 11 milionë lekësh, Avokati Mërtiri shpjegoi përpara trupit gjykues, më pas edhe për mediat, se ato janë përfituar nga shitja e orendive shtëpiake bashkë me një apartament në Shkodër në vitin 2011, kur Gjyqtari Fatmir Hoxha u zhvendos me banim në Tiranë.
“Shuma është plotësisht e justifikueshme. Hoxha që nga 2011 kur edhe është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe është transferuar nga qyteti i Shkodrës, banesë që e ka shitur me orenditë dhe shuma i përket orendive dhe shtëpisë. Borxhi është ende një borxh që po shlyhet dhe një kredi nga shteti që po e shlyhen sipas kushteve të kontratës përkatëse. Kredia është marrë sipas një VKM të 2007 si një nga funksionarët e lartë”, tha Mërtiri.
Në drejtim të Hoxhës kanë ardhur edhe ankesa nga tre qytetarë. Trupa Gjykuese e Komisionit të Vetting-ut administroi provat e paraqitura nga Avokati Julian Mërtiri dhe u tërhoq për vendimin përfundimtar, i cili do të jepet me datë 10 maj.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.