Kuvendi rrëzon dekretin për buxhetin, Angjeli: “Argumentet e Presidentit nuk qëndrojnë, buxheti 2021 i duhuri”
Ashtu si edhe pritej kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit Meta për buxhetin e vitit 2021, që kërkonte rishqyrtim me argumentin se nuk është i duhuri për të përballuar efektet e pandemisë. Në emër të mazhorancës ishte deputeti Anastas Angjeli, i cili theksoi se pretendimet e kreut të shtetit nuk qëndrojnë, pasi ky buxhet parashikon rritje si në investime me ndikim direkt në rritjen ekonomike.
“Nuk është aspak e vërtetë. Ky projektbuxhet në këto kushte që është Shqipëria e përmbush funksionin e tij për të përballuar COVID-19 për arsye se shpenzimet për Shëndetësinë janë rritur prej vitit 2019 me 3% e GDP-së, prej 2020 me 3.4% e GDP dhe në vitin 2021 me 3.7% të GDP-së që është rritja më e madhe që bëhet ën 30 vitet e fundit në sektorin e Shëndetësisë. Nga ana tjetër shpenzimet që janë planifikuar për Shëndetësinë janë shpenzime për rritjen e pagave të personelit të Shëndetësisë, për paisjen me medikamente në luftën kundër Covid, janë shpenzime për material të tjera dhe siç e dini jo katër spitale, por para pak ditësh u hap edhe spitali i pestë për Covid. Janë shpenzime që me 1.2 mld lekë do të rimbursojnë të gjitha ilaçet që qytetarët e prekur e Covid do të përdorin për tu shëruar dhe rimbursohen tërësisht dhe në të njëjtën kohë siç jeni në dijeni me këtë projektbuxhet dhe rialokimin e fundit me Aktin Normativ përballohen nevojat për vaksinimin e qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 2021.” – u shpreh deputeti i Partisë Socialiste.
Sipas presidenti Meta, buxheti i vitit 2021 nuk është i mjaftueshëm për të përballuar efektet e pandemisë, pasi nuk parashikon mbështetje për biznesin, dhe rritjen e punësimit.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.