Kuvend/Komisioni i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve e nisin javën me “rekord” projektligjesh
Dita e parë e javës pritet të jetë një ditë intensive për dy komisione parlamentare të rëndësishme, atë të Ekonomisë dhe atë të Ligjeve. Referuar kalendarit të punimeve të komisioneve të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit, komisioni i Ekonomisë ka në rend ditë shqyrtimin e 10 nismave ligjore, pjesa më e madhe e të cilave janë marrëveshje për ratifikim.
Krahas këtyre marrëveshjeve, Komisioni i Ekonomisë ka në rend dite shqyrtimin e projektligjeve të rëndësishme si ai për “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, ai për “Për prokurimin publik” si dhe ai “Për disa shtesa në ligjin “Për investimet e huaja”. Po ashtu, në rend ditë për këtë të hëne është përcaktuar edhe projektvendimi “Për miratimin e Strukturës dhe Organikës të Autoritetit të Konkurrencës”, raporton SCAN.
Jo më pak e ngjeshur pritet të jetë dita e punës edhe për anëtarët e Komisionit të Ligjeve. Referuar kalendarit të punimeve, edhe Komisioni i Ligjeve do të ketë në rend dite 10 pika. Përveç miratimit të kalendarit të punimeve e të procesverbalit, janë marrëveshjet financiare që janë depozituar nga qeveria që do t’i nënshtrohen diskutimit e votimit nga ky komision.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.