Kuzhina, arti që kënaq të gjitha shqisat! Profili i shef Fundim Gjepali
Kulinaria nuk është vetëm një tryezë e mbushur plot, por, çfarë është gatuar, si janë zgjedhur përbërësit, mandej si janë përzier e transformuar, derisa të përfundojnë në pjatë e të arrijnë të shijohen. Një art i qiellzës, pasi kjo e fundit është ajo që e përcakton, por derisa të arrijë te shijimi, e dimë se rruga është e gjatë. Edhe një sallatë e thjeshtë ka nevojë për përkujdesjen e duhur; një salcë e mirë e ndryshon tërësisht shijen e saj. Por dhe balanca e shijeve, erëzat e përdorura, teknikat e gatimit, janë të gjitha këto që e kthejnë ushqimin në një kënaqësi, për ne njerëzit e thjeshtë. Pastaj, artin në kuzhinë e bëjnë shefat. Ata eksperimentojnë dhe e ngrenë ushqimin në tjetër nivel; e kthejnë në art pra.
Ne takuam një ndër shefat më të mirë në kryeqytet për të folur për kuzhinën që gjithmonë e më shumë po zhvillohet e po bëhet më sfiduese, Fundim Gjepalin, fituesin e disa çmimeve në kulinari. E ndërsa e pyetëm rreth faktit sesi e shihte ai kuzhinën si “art” për të mbushur stomakun apo si “art” për të kënaqur të gjitha shqisat, shefi tha: “Besoj këto të dyja shkojnë paralel. Kuzhina, sot në kohën e bollëkut, sidomos në perëndim ku njerëzit janë të velur me çdo lloj ushqimi, pret nga shefat e kuzhinës një stimulim ndryshe, një shije të re ose të panjohur dhe në këtë fazë ndizet shpirti artistik i shefit, ku kuzhinën e kthen në art për të kënaqur të gjitha shqisat”.
Autumn in Tirana😀#PadamTirana #fundimgjepali #food #photography #fashion #foodlover #chef #tirana #tasty #visit #albania
Posted by Fundim Gjepali on Saturday, September 30, 2017
Të udhëtosh për artin e gatimit
Tanimë të gjithë dashamirësit e ushqimit e njohin shef Fundimin. Jeta e tij është mes Italisë dhe Tiranës. Qysh prej fillimeve të karrierës së tij e deri më tani, ai ka qenë aty dhe e ka parë evolucionin nëpër të cilin ka kaluar kuzhina. “Si çdo fushë ku vepron njeriu edhe kuzhina është zhvilluar shumë. Ajo ka arritur në nivele shumë ekstreme, ku një pjesë e mirë e klientëve nuk e kuptojnë se çfarë ka në pjatë dhe kur kamarieri ua shpjegon, ata çuditen nga kombinimet e produkteve me njëri-tjetrin. Gatimi nuk është më shabllon, por është një ndërthurje formash e shijesh, që ndoshta shumë vite më parë nuk ka qenë e menduar”- na tregoi Fundim Gjepali. Ai tha se gjithçka ka ndryshuar, e mbi të gjitha ka evoluar mendja e njeriut, që ka shpikur teknikat dhe ka futur përbërës të rinj. Sfida e një shefi mbetet të qëndrojë në majë, pra të jetë më i miri duke qëndruar gjithmonë në një hap me risitë e kuzhinës ndërkombëtare.
“Shefi me duket si një student i përjetshëm. Duhet të jesh vazhdimisht i vëmendshëm që të kuptosh prurjet e reja dhe të jesh i aftë t’i përvetësosh dhe realizosh ato. Një rol shumë të rëndësishëm, sipas tij, e kanë udhëtimet. Duhet të udhëtosh shumë, të njohësh vende dhe shijet që ata përdorin, por mbi të gjitha, duhet të njohësh mirë territorin ku e ke restorantin, që nga prodhimi i produkteve, e deri tek situata ekonomike”, – tregon shef Fundimi. Ai na tha se shijet janë të ndryshme në vende të ndryshme.
Teksa ngjisja shkallët për të tërhequr këtë çmim mbrëmjen e kësaj të mërkure, në mendje me kaluan si një shirit filmi…
Posted by Fundim Gjepali on Thursday, December 29, 2016
Pasioni i trashëguar nga gjyshja
Pasionin për kuzhinën, Fundimit ia ka transmetuar gjyshja, pasi, ndërsa ajo gatuante, ai, si një fëmijë trazovaç i futej në kuzhinë, por jo për të bërë dëme, siç do të ndodhte në rastin klasik të fëmijëve. Atë e tërhiqnin aromat e mira që dilnin prej kuzhinës. Ndoshta qe e thënë që do të bëhej ky që është sot, kështu që, ai është kujdesur që të fusë edhe ndonjë nga sekretet e gjyshes në kuzhinën e tij.
“Siç e kam thënë dhe në intervista të tjera rrënjët e familjes time kanë ndikuar shumë në kuzhinën time. Nga një familje e madhe në fshat, ku gatuheshin shumë receta të zonës, ka shumë pjata që mund të transformoheshin në mënyrë perfekte në një kuzhinë bashkëkohore”, thotë ai.
Ai na tregoi se ka punuar fort, duke hequr paragjykimet për kuzhinën shqiptare. “Bujqësia shqiptare po modernizohet dita-ditës dhe është një ndihmë e madhe për ne. Rrënjët dhe tradita janë një pasuri shumë e madhe për njeriun, nëse ai di ta shfrytëzojë dhe t’i marrë më të mirën dhe unë jam ndjerë shumë i pasur në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Suksesi nuk vjen dhe aq thjesht, pasi duhet shumë punë dhe orë të gjata eksperimentesh, në mënyrë që klientët të largohen të buzëqeshur se kanë shijuar diçka ndryshe dhe inovative. “Eksperimentimi zë një vend të madh në kuzhinë. Ai kalon me ditë të tëra duke provuar pjata e kombinime të reja. Derisa të jetë gati një pjatë për menu, bëhen shumë e shumë prova e eksperimente. Sipas tij, kuzhina do të jetë gjithmonë në evolucion, sepse ajo është e lidhur me evolucionin human, kërkesat do të jenë gjithmonë e më të evoluara. Kjo është një tjetër anë e punës së shefit. Kultura të ndryshme në botë kanë pjata të ndryshme. Disa që duan guxim, apo ndoshta dhe thjesht kureshtje. E tillë ka qenë pjata me insekte që shefi ka provuar. “Se kisha menduar asnjëherë që do të haja insekte, por ja që erdhi një ditë dhe provova një pjatë me insekte. Ekspertët thonë që insektet do jenë e ardhmja në kuzhinë”…Ja ta shohim!
Desdemona Mema/SCAN Magazine
Posted by Fundim Gjepali on Wednesday, February 18, 2015
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.