“Kyçen” 58 pika të therjes – Ku po bëhen therjet e mishit?! AKU: Ja si përballohet kërkesa e tregut

Pas nisjes së aksionin për disiplinimin e therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka ndërprerë aktivitetin e 58 njësive të therjes në të gjithë vendin. Bllokimet i takojnë periudhës kohore 12-16 tetor, ndërkohë që në total janë kryer 67 inspektime.
Paralelisht AKU ka vendosur 10 gjoba dhe ka lënë 9 paralajmërime për subjekte të ndryshme. Nga kontrollet e ushtruara rezultoi gjithashtu se 1 thertore ishte e paregjistruar në QKB, ndërsa 10 thertore dhe 4 vende që përdoreshin në mënyrë ilegale për therjen e bagëtive, në afërsi të dyqaneve për tregtimin e mishit.
Përveç kësaj, AKU ka riinspektuar pikat e therjes dhe subjektet e mbyllura gjatë këtij aksioni, ndërkohë që nuk ka rezultuar që ndonjëri të ishte rihapur. Inspektorët e AKU kanë sekuestruar edhe sasi mishi, frigoriferë e mjete pune në subjektet e penalizuara.
Ndërkaq, të pyetur nga TV SCAN, përfaqësues të AKU-së shpjeguan se legjislacioni aktual nuk parashikon ekzistencën e njësive të therjes, por ky proces duhet të kryhet vetëm nëpër thertore të standardizuara. Gjithashtu, të pyetur mbi mundësinë e përballimit të kërkesave të tregut për mish, AKU shtoi se thertoret aktuale kanë kapacitetet e nevojshme për ta përballuar.
Ndërkaq, ky institucion hodhi poshtë mundësinë se pas mbylljes së një numri të madh pikash therjeje, të krijohet një efekt negativ në treg, duke favorizuar therjen në njësi të palicencuara dhe jashtë kushteve higjieno-sanitare. Pas auditimit të njësive të therjes së mishit, kontrollet e AKU do të vazhdojnë në të gjitha fushat që lidhen me produktet ushqimore.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.