Largim nga aksionet europiane – Investitorët shqetësohen nga euro e fortë, tërheqin fondet
Fondet e aksioneve europiane kanë patur tërheqjen më të madhe në 6 muaj, ndërkohë që fuqizimi i euros ka cenuar humorin e investitorëve. Investitorët kanë tërhequr 1.4 miliardë dollarë nga fondet e titujve europianë të kapitalit gjatë javës së fundit.
Kjo shënon lëvizjen më të madhe që prej muajit Mars, ku shqetësonte rezultati i zgjedhjeve në Francë.
Tërheqjet vijnë ndërkohë që euro ka vazhduar të fuqizohet kundër dollarit amerikan dhe paundit britanik.
Euro është rritur me 13.3% këtë vit, duke arritur nivelin më të lartë në mbi 2 vite e gjysmë në rreth 1.21 kundër dollarit.
Fondet e titujve europianë të kapitalit kanë regjistruar një fluks hyrës prej më shumë se 30 miliardë dollarë këtë vit, megjithatë, sipas analistëve, valuta e forcuar po fillon të ndryshojë humorin e investitorëve.
Tensionet gjeopolitike, nivelet e larta të çmimeve të aksioneve, dyshimet mbi aftësinë e rritjes së inflacionit dhe bisedat e mbi tavanin e borxhit kanë bërë që disa investitorë të dyshojnë për një “korrigjim” të çmimit të aktiveve.
Për të njëjtën javë, fondet që investojnë në aksionet e Shteteve të Bashkuara kanë patur një hyrje prej më pak se 300 milionë dollarë, që është shifra e parë pozitive në 11 javë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.