Largimi i të punësuarve nga Administrata Publike?! Ministrja Kodheli: Do të respektojmë ligjin

Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli foli për të punësuarit në administratë, ku tha se zbatimi i ligjit do të jetë në krah të gjithsecilit që me të drejtë është punonjës i saj. E pyetur se nëse do të largohen nga puna përfaqësuesit e LSI-së tashmë që aleanca u prish, ajo u shpreh se qeveria socialiste nuk do të jetë armike e askujt dhe mike e gjithkujt që zbaton ligjin. Sipas saj nuk do mbeten jashtë diskutimeve, punësimet nepotike.
“Gjëja e parë dhe e fundit që do të bëjmë është respektimi i ligjit. Bazuar në këtë gjë gjithsekush duhet të ndihet i sigurt se zbatimi i ligjit do të jetë në krah të gjithsecilit që me të drejtë është punonjës i Administratës Civile. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që të gjithë ata që në mënyrë të padrejtë, në mënyrë nepotike, në mënyrë kaotike, në mënyrë abuzive kanë marrë një post që nuk e meritojnë, nuk do të rishikohen si një kazus, si një rast që duhet të zgjidhet, apo duhet të sistemohet ndryshe, apo duhet të vihet drejtësia në vend.
Shqipëria është një vend i vogël, gjithsekush njeh gjithkënd, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet radhitjen sipas meritës, sipas pikëve, sipas procedurave dhe sipas kurrikulumeve që gjithsekush ka në CV-në e vet. Askush nuk duhet të ketë frikë nga asgjë. Ne duhet të vazhdojmë të zbatojmë ligjin do ta bëjmë këtë gjë me seriozitetin që na takon, si një forcë politike që nuk është armik i askurrkujt, por është mik i gjithkujt sidomos kur flitet për ata që ligjin e zbatojnë”, u shpreh ministrja Kodheli
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.