Le Pen humbet terren, kërcënoi administratën
Marine le Pen po humbet terren në elektorat tregojnë sondazhet e fundit, ndërkohë që Emmanuel Macron vazhdon të marshojë.
Kandidatja dhe liderja e ekstremit të djathtë në Francë tashmë gëzon 26% të mbështetjes popullore në raundin e parë të zgjedhje që do të mbahet më 23 prill, çka përkthehet në një rënie me 1.5% në krahasim me sondazhet e Shkurtit.
Emmanuel Macron ndërkohë është ngjitur në 24% tregojnë të njëjtat sondazhe. Analistët argumentojnë se, rënia e le Pen vjen si pasojë e komenteve të saj ndaj të punësuarve në administratën publike.
Ajo deklaroi se nëpunësit civil që persekutojnë rivalët politikë do të ndëshkohen. Pavarësisht kësaj, le Pen vijon të projektohet si fituesja e raundit të parë të zgjedhjeve.
Francois Fillon ndërkohë vijon të humbasë peshë në elektorat. Mbështetja e tij ka zbritur në 19% pas skandalit, çka do të thotë se, do të jetë pikërisht kandidati republikan i eliminuari i raundit të parë.
Me le Pen dhe Macron finalistë në garën e 7 majit. Sondazhet tregojnë se, Macron do të fitonte me 62%, kundrejt 38% të le Pen. Një tjetër sondazh i publikuar ditën e Premte tregon Macron përpara le Pen në raundin e parë të zgjedhjeve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.