Le Pen mbledh mbështetësit e saj – Premton se do ti mbrojë ata duke pezulluar emigrimin

Liderja e partisë së djathtë ekstreme Marine Le Pen kërkoi të mobilizojë mbështetësit e saj pak ditë përpara zgjedhjeve, duke i premtuar se do të pezullojë emigrimin dhe do të mbrojë votuesit nga globalizimi i ashpër.
Sondazhet kanë kohë që tregojnë se Le Pen dhe Emmanuel Macron do të kualifikohen ditën e Dielë, për të garuar më datë 7 Maj. Megjithatë, hendeku i tyre me konservatorin Fillon dhe liderin e ekstremit të majtë Jean Luc Melencohn po ngushtohet.
“Masa ime e parë do të jetë rifuqizimi i kufijve francezë”, tha Le Pen duke u duartrokitur nga mbështetësit e Frontit Nacional. Ajo shtoi se kampi i saj është ai i patriotëve, duke kritikuar rivalët, që sipas saj, synojnë një “globalizim të ashpër”.
Ndërkohë që anketuesit tregojnë se abstenimet mund të arrijnë nivele të larta, rëndësi po i kushtohet bindjes së francezëve që t’u drejtohen kutive të votimit.
Pikërisht këtë po bën Le Pen duke shpalosur pikëpamjet e saj anti-Euro dhe anti-emigracion. “Emigrimi në masë nuk përbën një mundësi për Francën, por është një tragjedi”, tha Le Pen, duke kthyer mbështetësit e saj kundër Bashkimit Europian dhe zonës Schengen, nga ku Franca do të dalë nëse ajo fiton zgjedhjet.
Duke premtuar vendosjen e një moratoriumi mbi emigrimin, ajo shtoi se “Francezët kanë më pak të drejta se emigrantët, madje edhe ato të jashtëligjshëm”. Përleshje ka patur në pritje të kandidates, ndërsa gjatë fjalimit të saj, një grua u ngjit në skenë duke u përpjekur që ta godasë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.