Le Pen “merr” majtas, fermerët e shohin si shpresën e vetme

Fushata elektorale në Francë është një gjenerator gjigand surprizash dhe pasigurish. Le Pen, që është edhe kërcënimi më i madh për Europën sot, vijon të fitojë terren, madje edhe aty ku askush nuk mund ta mendonte më parë. Pavarësisht se Marine le Pen kandidon nën siglën e ekstremit të djathtë, sondazhet tregojnë se, ajo po korr sukses mes fermerëve, një shtresë kjo historikisht e mbështetur nga partitë e majta.
Pavarësisht se, vetëm një pjesë e vogël e popullsisë punon në këtë sektor, votuesit e shohin sektorin agrar si një traditë, çka rrit së tepërmi peshën edhe në politikë.
“Shumë fermerë i kanë vendosur shpresat e tyre te Le Pen. Ne e shohim kandidaten me fermerët më shumë se kandidatët e tjerë”, shprehet njëri prej tyre.
Sondazhet e fundit tregojnë se Le Pen do të jetë fituesja e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, që do të mbahet në muajin Prill. Të njëjtat sondazhe e nxjerrin kandidaten humbëse të raundit të dytë, kundrejt rivalit të saj kryesor, Emmanuel Macron, ish ministër i Ekonomisë nën presidencën Hollande, dhe aktualisht kandidat i një lëvizje të qendrës së majtë.
Fermerët e duan le Pen për shkak të retorikës së saj anti-globaliste dhe proteksioniste, duke qenë se, sektori është në krizë prej kohësh. 36% e fermerëve që kanë vendosur të votojnë, do të mbështesin Le Pen, ndërkohë që në popullsinë e përgjithshme, kjo normë fiksohet në vetëm 26%.
Roel Kokuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.