Legalizimet në Dibër e Kukës – ALUIZNI publikon raportin, ndër qarqet më pak problematike
1220 leje legalizimi janë dhënë në qarkun e Kukësit që prej vitit 2013, një shifër kjo 4.5 herë më e madhe se legalizimet e kryera deri në atë kohë. Statistikat zyrtare për periudhën 2013-2018 janë publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, mbi legalizimet në qarqet Kukës e Dibër, ku sipas saj janë edhe ndër qarqet me më pak problematika.
Nga të dhënat rezulton se në qarkun e Kukësit viti 2019 ka regjistruar edhe numrin më të ulët të legalizimeve, vetëm 18, ndërsa viti me numrin më të lartë është 2014-ta, me 291 legalizime.
Kukësi është një prej zonave me numrin më të ulët të kërkesave dhe ankesave nga qytetarët pranë sporteleve të ALUIZNI-t, si dhe zona me më pak objekte në tokë në pronësi. Ndërkohë, sipas ALUIZNI-t në këtë qark është mbyllur procesi i legalizimit në 5 njësi administrative dhe është në përfundim edhe Bashkia Has, ndërsa parashikohet të mbyllet brenda vitit edhe 3 qendrat e bashkive të qarkut.
Ndërkohë, sa i takon qarkut të Dibrës, gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare janë kryer 1401 legalizime, ku numri më i lartë sipas statistikave është regjistruar në vitin 2016, me 508. Ndërsa, vetëm gjatë periudhës janar-gusht janë dorëzuar për qytetarët e këtij qarku 331 leje legalizimi.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.