Lehtësi për të sëmurët me diabet – Manastirliu: Fishat falas edhe për studentët
Pas fëmijëve, fishat e diabetit tashmë do të jenë falas edhe për studentët deri në 23 vjeç. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në ditën Botërore të Diabetit, në një aktivitet të zhvilluar për ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me masat për parandalimin e kësaj sëmundjeje.
“Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave me diabet dhe familjeve të tyre”, tha Manastirliu.
Ndërsa u ndal te parandalimi i diabetit, ministrja tha se qeveria ka garantuar trajtimin 72 mijë personave me diabet, me një financim prej mbi 16 milion dollarë në vit vetëm për rimbursimin e barnave për diabetikët. Ndërsa shtoi më tej se personat e sëmurë me diabet përfitojnë falas 36 lloje barnash, të cilat përbëjnë edhe terapinë e plotë për këtë sëmundje.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lajmëroi gjithashtu një tjetër lehtësi për personat me diabet, të cilët deri pak ditë më parë, detyroheshin të vinin periodikisht për konsultë në QSUT nga rrethet për të përfituar terapinë e rimbursimit.
“Ne kemi mundësuar prej pak ditësh një procedurë të re për lehtësimin e personave me diabet që kanë nevojë për konsulta në QSUT. Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë”, deklaroi Manastirliu.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.