Lehtësim të borxhit grek – Eurozona gati, por pas implementimit të reformave

Qeveritë e Eurozonës do të vlerësojnë masat afat-mesëm për lehtësimin e borxhit helen, menjëherë pasi Athina zyrtare të implementojë reformat e dakordësuara më herët gjatë javës, deklaroi një zyrtar i lartë i rajonit.
Zëvendësministrat e financave të Eurozonës dhe zyrtarët e thesarit u takuan të Enjten në Bruksel për të diskutuar pikërisht mbi marrëveshjen e arritur pak ditë më parë me Greqinë, që parashikon masa shtesë shtrënguese, dhe që i hapin rrugën lehtësimit të borxhit të vendit.
Në mbledhjen e ardhshme të Eurogrupit, më 22 Maj mund të ketë gjëra më konkrete në këtë drejtim.
Lehtësimi i borxhit helen do të bazohet në marrëveshjen e Majit të vitit 2016, theksojnë zyrtarë të lartë të Eurozonës.
Një ndër këto masa përfshin edhe riblerjen e borxhit grek nga vendet e Eurozonës, borxh të cilin Athina zyrtare e ka marrë nga Fondi Moentar Ndërkombëtar me interesa mjaft të larta.
Kjo, së bashku me masa të tjera, do të aplikohen vetëm në rast se, Greqia do të implementojë reformat, që në pjesën dërrmuese janë masa shtrënguese.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.