Lehtësimi i procedurave të Kempit – Si do të përfitojnë 130 mijë persona me aftësi të kufizuara?

Procesi i lehtësimit të marrjes së shërbimeve në kohë më të shpejtë ka përfshirë edhe personat me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuara.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kësaj kategorie. Këta të fundit kanë paraqitur kërkesat e tyre lidhur me përmirësimin e shërbimeve sociale shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara.
Ministrja u shpreh se tashmë do të ketë lehtësim të procedurave të Kempit për këta individë.
“Nuk do të ketë më sorollatje nga njëri komision në tjetrin për vërtetimin e aftësisë së kufizuar, por po vlerësojmë heqjen e disa hallkave, për t’ua lehtësuar kalvarin e mundimshëm qytetarëve”, – tha Ministrja.
Janë rreth 130 mijë persona aftësi të kufizuara që pritet të përfitojnë nga lehtësimi i kësaj procedure.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.