Lehtësitë për biznesin – Këshilli i Investimeve do të diskutojë problematikat e biznesit
Krijimi i një klime të favorshme për biznesin, si dhe diskutimi i shume problematikave që ata hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit ekonomik janë objektiv i shumë strukturave publike.
Krijimi i Këshillit të Investimeve hapi një “dritare të re” për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, ku diskutimet për problematika apo nisma ligjore janë trajtuar gjerësisht.
Kështu në mbledhjen e radhës së Këshillit të Investimeve, e cila është planifikuar të mbahet në Shtator të këtij viti, pritet të diskutohen çështje të ndryshme që kanë të bëjnë më lehtësitë, sidomos ato proceduriale për sipërmarrjen.
Referuar axhendës zyrtare të Këshillit të Investimeve, temat e mbetura për t’u trajtuar gjatë 2017, të miratuara paraprakisht nga anëtarët, janë
1-Analizë për E-leje
2- Analizë për inspektimet
3-Start up
Referuar pikës së dytë të kësaj mbledhjeje pritet që së shpejti të miratohen nga qeveria edhe ndryshimet ligjore të funksionimit të inspektimeve.
Vetëm pak ditë më parë, Inspektoriati Qendror Shtetëror prezantoi para biznesit draftin me ndryshimet ligjore në fushën e inspektimeve, sipas të cilave parashikohet ristrukturimi i numrit të inspektorateve shtetërore, fuqizimi i sistemit të karrierës në trupën e inspektorëve si dhe ndryshimin i mentalitetit të inspektimit nga një proces ndëshkues për biznesin, në një proces ndihmës dhe këshillues.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.