Lehtësohen shkëmbimet e produkteve bujqësore. Shqipëri-Maqedoni e Veriut, nuk ka më analiza në pikat kufitare
Bizneset shqiptare dhe ato të Maqedonisë së Veriut në fushën e bujqësisë nuk do të kenë më nevojë të kryejë analizat fitosanitare të produkteve në pikat kufitare, duke shmangur kështu barrierat e deritanishme në shkëmbimet tregtare. Marrëveshja është nënshkruar midis ministrave Bujqësisë të të dy shteteve.
“Është një marrëveshje shumë e rëndësishme së pari sepse do krijojë një korridor korsish të lirë të qarkullimit të gjithë produkteve bujqësore në të dyja drejtimet duke hequr barierën e kërkesave të tepërta apo dyfishe të analizave fitosanitare që i bëhen produkteve bujqësore si në Shqipëri dhe Maqedoni. Duke lehtësuar qarkullimin, duke njohur autoritetet e laboratorëve të akredituar dhe autorizuar të dy vendeve.” – u shpreh z.Cuci.
“Është një hap shumë i rëndësishëm drejt heqjes së të gjitha barierrave të ndalesave kufitare sidomos për produktet që kanë patur afat shumë të shkurtër ndërsa kanë qëlluar të presin edhe 48 orë në pikat kufitare. Duhet të theksojmë se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve kanë filluar me lëvizjen e lirë përmes heqjes së barrierave, pasaportave dhe tashmë lëvizjes me letërnjoftimeve. Ky është një hap i radhës dhe do të pasojnë të tjera.” – u shpreh z.Arjanit Hoxha.
Kjo marrëveshje njeh çertifikatat fitosanitare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, sjell njohjen e ndërsjelltë të institucioneve e instrumentave laboratorikë, vlerësues dhe validues të cilësisë së prodhimeve me destinacion eksport-importin mes dy vendeve si dhe jep mundësi për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.